Disa dronë, që u panë mbi një bazë ajrore në Belgjikë gjatë fundjavës, ishin aty “për të spiunuar” avionët luftarakë ushtarakë, tha të dielën ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, në një kohë kur vendet evropiane janë në gatishmëri të lartë për shkelje të hapësirës ajrore.
“Ata vijnë për të spiunuar, për të parë ku ndodhen F-16-at, ku janë municionet dhe gjëra të tjera shumë strategjike,” tha ministri Francken për rrjetin belg RTBF, të lidhur me CNN.
Dronët ishin qartësisht “spiunues”, shtoi ministri, duke theksuar “kohëzgjatjen e madhe” që njëri prej tyre kishte qëndruar mbi bazën ajrore.
Baza ajrore Kleine-Brogel, në komunën Peer, strehon njësinë më të madhe të forcave mbrojtëse belge dhe, sipas faqes së saj zyrtare, synon të “kontribuojë në mënyrë thelbësore në strategjinë bërthamore parandaluese të NATO-s”.
Mediat lokale prej kohësh kanë përfolur për praninë e armëve bërthamore amerikane në këtë bazë.
Ministria belge e Mbrojtjes i tha CNN-it se nuk mund të konfirmojë as të mohojë praninë e armëve bërthamore në bazë.
Këto vëzhgime të fundit ndodhin ndërsa Evropa është në alarm të lartë pas disa hyrjeve të dronëve dhe avionëve në hapësirën ajrore të NATO-s.
Në bazë ndodhen avionë luftarakë F-16, tha faqja e saj zyrtare, duke shtuar se këta do të zëvendësohen me F-35 “ultramodernë” brenda “disa vitesh”.
Duke folur për vëzhgimet e fundit, Francken tha se Rusia “po përpiqet ta bëjë këtë në të gjitha vendet evropiane”, por nuk shkoi aq larg sa ta fajësonte drejtpërdrejt Moskën.
“Janë rusët tani? Nuk mund ta them këtë, por motivet janë të qarta,” tha ai.
Të dielën, Francken përmes një shkrimi në ‘X’, tha se tre raportime ishin marrë natën e kaluar për dronë mbi Kleine-Brogel.
Sipas tij, dronët ishin të tipit më të madh dhe fluturonin në lartësi më të madhe.
Ai theksoi se dronët nuk po fluturonin thjesht mbi bazë, por po e monitoronin atë në mënyrë të qartë.
“U përdor një pajisje për bllokimin e dronëve, por pa sukses… Një helikopter dhe automjete policie e ndoqën dronin, por e humbën pas disa kilometrash,” shtoi ministri./rtk
OVL e UÇK-së thërret konferencë për media
Superheronjtë zbresin sot në QKUK me dhurata dhe buzëqeshje ...
A ka ende mundësi për një bashkëpunim PDK-Nisma – Gruda jep ...
Sot mbahen seancat inauguruese në katër komunat veriore të K...
Moti sot kryesisht i vranët, herë pas here priten edhe reshj...
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...