Bleart Tolaj “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

15:58 | 30 Tetor 2025
D.H

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.

Për javën e njëmbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Ballkani, Bleart Tolaj, i cili shënoi dy gola në fitoren e ekipit të tij kundër Malishevës në transfertë, e cila përfundoi me rezultatin 0:5.

Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit në përbërje të Naser Bunjaku, Shyqeri Salihu dhe Zenel Shabanit.

Pasi mori këtë çmim, Tolaj u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës.

“Ndeshjet kundër FC Malishevës janë gjithmonë të vështira dhe nuk e kemi pritur që fitorja do të ishte kaq e lehtë. Atmosfera në ekip është shumë e mirë, sepse nuk po mungojnë rezultatet. Jemi në rrugën e duhur për synimin tonë – të shpallemi kampionë.”

“Falënderoj ekipin për mbështetjen dhe është një privilegj të shpallem “Ylli i javës”, sidomos në këtë edicion që ka shumë cilësi individuale”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

Shpërndaje në rrjete sociale