Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arbër Emini, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.A.nr.205-2/2025, të datës 24 tetor 2025.
Pasi PZAP kishte refuzuar më herët si të pabazuar ankesën e Eminit, ky i fundit kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar rivotim në Komunën e Kllokotit. Ai kishte pretenduar se gjatë ditës së votimit kishin ndodhur “shkelje të shumta ligjore e procedurale”, se nuk ishte zbatuar vendimi i mëparshëm i Gjykatës Supreme (Nr.A.A.nr.93/2025), si dhe kishte ngritur dyshime për “ndërhyrje të strukturave ilegale serbe në procesin zgjedhor në Kosovë”.
Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata Supreme konstatoi se vendimi i PZAP ishte i drejtë dhe i ligjshëm, duke theksuar se Emini “nuk ka ofruar dëshmi të qarta dhe bindëse”, siç kërkohet me nenin 117, paragrafi 3 të Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Prandaj, ankesa u refuzua si e pabazuar.
Në lidhje me pretendimet e Eminit për veprime të mundshme penale gjatë ditës së zgjedhjeve në Kllokot, Gjykata vlerësoi se ato nuk janë në kompetencë të PZAP, por të Prokurorisë kompetente. Nga dokumentacioni i lëndës rezulton se Emini tashmë ka deponuar kallëzim penal në Prokurori lidhur me këto dyshime.
Si përfundim, Kolegji i Gjykatës Supreme vlerësoi se pretendimet ankimore nuk kanë pasur bazë të mjaftueshme apo ndikim në rezultatin zgjedhor për të urdhëruar përsëritjen e votimit në ndonjë vendvotim në Komunën e Kllokotit.
Tërmet në Kosovë në orët e hershme të mëngjesit
Autobusi me 40 student bie në humnerë në Kolumbi, 16 të vdek...
“E kam vërejt që është ftohë”, Edi dhe Dolce drejt ndarjes?
Moti sot në Shqipëri me ulje të temperaturave
Punime në rrjetin, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje t...
Sulmi me 16 viktima në Australi, Kryeministri propozon ligje...