Promovohet informatori për ekzaminimin e gjirit për gratë e kryeqytetit

12:16 | 29 Tetor 2025
E.G

Në kuadër të muajit Rozë, Drejtoria e Shëndetësisë në bashkëpunim me organizatën “Action for Mothers and Children” kanë promovuar informatorin për ekzaminimin e gjirit për gratë e kryeqytetit, një material informues që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të fuqizojë gratë me njohuri të qarta për rëndësinë e kontrollit të rregullt të gjirit, vetëkontrollit dhe qasjes së hershme në shërbimet shëndetësore.

Ky udhëzues, që shpërndahet për herë të parë në nivel komunal, ofron informacione të sakta mbi mënyrën e kryerjes së ekzaminimeve, si dhe mbi vendet ku gratë mund të marrin kujdes të mëtejmë në rast të shqetësimeve apo simptomave të mundshme.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, theksoi rëndësinë që ky projekt ka për shëndetin publik dhe investimet që janë bërë për gratë e kryeqytetit.

“Shëndeti i nënave, motrave dhe bijave tona është themeli i një shoqërie të shëndetshme e të qëndrueshme. Kemi rritur ndjeshëm përkushtimin dhe ndërgjegjësimin për këtë çështje, duke investuar në infrastrukturë, shërbime dhe fushata sensibilizuese që e vendosin gruan në qendër të kujdesit shëndetësor. Gjatë kësaj periudhe kemi siguruar mamografë të rinj në kryeqytet, duke bërë të mundur që asnjë grua të mos presë për t’u kontrolluar. Shërbimi i mamografisë është plotësisht falas për të gjitha gratë. Gjithashtu, komuna ka subvencionuar të gjitha gratë që përballen me sëmundjen e kancerit. Vetëm gjatë dy viteve të fundit, numri i mamografive të kryera në Prishtinë është rritur me mbi 250 për qind”, tha ai.

Të ngjashme