Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njofton se në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, pas pranimit të njoftimit zyrtar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), përmes të cilit është konfirmuar se është iniciuar hetim penal ndaj të pandehurit Beqë Shala, prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, ka vendosur unanimisht që të pezullojë atë përkohësisht nga detyra zyrtare.
Shala është arrestuar në vendin e tij të punës mëngjesin e së hënës në një aksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK). Arrestimi i tij ka ndodhur gjatë zhvillimit të një hulumtimi nga “Betimi për Drejtësi” që posedon video-incizim të prokurorit Shala, i cili dyshohet se ka pranuar ryshfet.
Sipas njoftimit, prokurori Shala është pezulluar, deri në një vendim tjetër të Këshillit, përkatësisht deri në përfundimin e procedurës penale që është në zhvillim e sipër, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“KPK njofton se ky vendim është marrë me qëllim të sigurimit të paanshmërisë, integritetit dhe efikasitetit të procedurës penale hetimore, si dhe për të garantuar zhvillimin e pandikuar të procedurës si dhe ruajtjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) të hënën njoftoi se prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Beqë Shala është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Marrje ryshfeti”.
Përmes një komunikate për medie, PSRK-ja bëti të ditur se gjatë bastisjes, janë sekuestruar prova materiale.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë kryer bastisje në zyrën e punës dhe në vendbanimin e të dyshuarit. Gjatë bastisjes janë sekuestruar prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore penale”, thuhej në njoftim.
Prokuroria Speciale njoftoi se brenda afatit ligjor të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Janjiq: Serbia de fakto e ka njohur Kosovën
Rama publikon pamjet: Transformimi i Spitalit Onkologjik vaz...
Tërmet në Kosovë në orët e hershme të mëngjesit
Autobusi me 40 student bie në humnerë në Kolumbi, 16 të vdek...
“E kam vërejt që është ftohë”, Edi dhe Dolce drejt ndarjes?
Moti sot në Shqipëri me ulje të temperaturave