A i riparon shampoja flokët? Katër mite të kujdesit për to që duhet t’i harroni

22:26 | 26 Tetor 2025
E.H

Të gjithë duam flokë që duken dhe janë të shëndetshëm, të lëmuar, onde të ndritshme ose kaçurrela me volum. Industria e kujdesit ndaj flokëve kushton miliarda dollarë, produktet janë të pafundme dhe trendet apo videot e TikTok bëjnë që të anashkalojmë këshillat bazë.

Nuk nevojiten shumë para apo rutina të ngarkuara për kujdesin e flokëve, mjafton që të bëjmë si duhet veprimet më të thjeshta. Dy trikologe britanike hedhin poshtë mitet më të zakonshme për kujdesin e flokëve.

Dushi i ftohtë nuk i bën të shkëlqejnë

Keni duruar dushin me ujë të flohtë për hir të flokëve më me shkëlqim? Nuk duhet pasi uji i ftohtë nuk bën asgjë. Ajo që është e rëndësishme është mbrojtja e flokëve nga kimikatet, nxehtësia dhe mjedisi. Por edhe ekstremi i ujit të nxehtë i dëmton pasi flokët mund të dehidratohen dhe skalpi mund të digjet.

Asnjë produkt nuk i riparon flokët e dëmtuar

Nëse shpresoni të rregulloni majat e dyfishta pa shkuar te parukierja, duhet të dini se prerja e flokëve është zgjidhja e vetme. Produktet që gjenden thjesht veprojnë si një lloj ngjitësi që i bashkon majat dhe duken më mirë. Megjithatë, është një zgjidhje e përkohshme ndaj mos shpenzoni pafund para. Duhet thënë se prerja e shpeshtë e flokëve me idenë që mund të rriten më shpejt, është gjithashtu e pavërtetë. Nuk ka asnjë mënyrë për t’i bërë flokët të rriten si me magji.

Flokët nuk pastrohen vetë

Ndoshta keni dëgjuar dikë që thotë se po i mëson flokët “të pastrohen vetë” duke mos i larë shpesh. Në TikTok ka një mori videosh të përdoruesve që e pretendojnë këtë dhe disa thonë se nuk i lajnë flokët fare. Kjo është një katastrofë për flokët. Në skalp gjenden mbi 180 mijë gjëndra yndyre dhe në të grumbullohen papastërti nëse nuk lahet rregullisht. Ashtu si veshjet nuk mund të lahen vetëm me ujë, edhe flokët kanë nevojë për shampon. Nëse flokët nuk i lani siç duhet, mund të shkaktojë aromë të keqe dhe patologji të skalpit apo zbokth. Personat me flokë të yndyrshëm mund t’ia lejojnë vetes t’i lajnë flokët më shpesh, kurse ata me flokë më të thatë duhet të përdorin shmapo pa sulfate e cila nuk heq vajrat e dobishëm.

Shampoja e thatë nuk zëvendëson larjen

Është një zgjidhje e shpejtë për t’i bërë rrënjët e yndyrosura të duken më mirë dhe të shmangim dushin kur e kemi me nxitim. Profesionistët thonë se duhet të përdoret vetëm një herë midis larjeve. Problemet shfaqen kur e përdorni për disa ditë rresh pa i larë flokët. Yndyra e flokëve kapet pas shampos duke u kthyer në ushqim për bakteret. Si rrjedhojë, shfaqen probleme me skalpin.

Në përgjithësi, ideja e kujdesit për flokët është njësoj si me fytyrën: grimi nuk vendoset pa hequr të mëparshmin dhe pa e larë lëkurën./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale