SHBA godet një tjetër anije të dyshuar për trafik droge në Paqësor

Screenshot

22:23 | 22 Tetor 2025
Q L

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka ndërmarrë një tjetër sulm ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge, këtë herë në brigjet e Kolumbisë, në Oqeanin Paqësor. Ky është sulmi i parë jashtë rajonit të Karaibeve dhe pjesë e një fushate të zgjeruar dhe të debatueshme të administratës Trump kundër grupeve kriminale ndërkombëtare.

Në videon e publikuar nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, shihet një varkë e vogël e mbushur me pako, e cila më pas shpërthen në det. Hegseth krahasoi kartelet e drogës me grupin terrorist Al Kaeda, duke deklaruar se ato po zhvillojnë “luftë kundër kufirit dhe qytetarëve amerikanë” dhe paralajmëroi se “nuk do të ketë as strehim, as falje vetëm drejtësi”.

Sulmet e deritanishme kanë prekur kryesisht brigjet e Venezuelës, ku janë goditur shtatë anije dhe janë vrarë të paktën 32 persona. Sipas raportimeve të “The Guardian”, operacionet bazohen kryesisht në inteligjencën e siguruar nga CIA, ndërsa shumë nga provat që përdoren për të zgjedhur objektivat mbeten të klasifikuara.

Administrata Trump ka argumentuar se këto grupe kriminale, përfshirë kartelin “Tren de Aragua”, janë të lidhura me qeverinë venezueliane dhe përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare. Megjithatë, nuk është paraqitur ndonjë provë konkrete që vërteton se kartelet veprojnë në emër të regjimit të presidentit Nicolás Maduro.

Ligjërisht, sulmet janë justifikuar nga Shtëpia e Bardhë me pretendimin se SHBA-të janë në një konflikt të armatosur jo-ndërkombëtar me organizata të shpallura si terroriste, ndonëse ky interpretim është vënë në dyshim nga ekspertë ligjorë dhe ka shkaktuar kritika ndërkombëtare.

Operacionet ushtarake janë mbikëqyrur nga zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Stephen Miller dhe Tony Salisbury, të cilët kanë fuqizuar rolin e Këshillit për Sigurinë e Brendshme në menaxhimin e fushatës.

Pavarësisht pretendimeve të administratës për mbrojtje të sigurisë kombëtare, mungesa e transparencës, përdorimi i forcës pa gjykim dhe shkelja e mundshme e të drejtave ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime serioze si brenda SHBA-së ashtu edhe në vendet e Amerikës Latine.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme