Përurohet çerdhja e re në Koretin të Kamenicës, vlera 741 mijë euro

19:04 | 9 Tetor 2025
E.G

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, së bashku me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, morën pjesë në ceremoninë përuruese të çerdhes në fshatin Koretin të Kamenicës.

Sipas njoftimit, çerdhja e re në këtë fshat ka kapacitet të akomodojë afër 120 fëmijë.

Ajo është investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në vlerë prej 741 mijë euro.

Ndërtimi i çerdhes ka qenë një nevojë edhe kërkesë e kahmotshme e banorëve të kësaj zone.

Me rastin e inagurimit, kryeministri Kurti tha se hapja e kësaj çerdhe është tejet e vlefshëm për fëmijët e vegjël që do të marrin hapat e parë të arsimimit e të edukimit të tyre aty. Duke i uruar banorët për objektin e ri, kryeministri falënderoi kryetarin e Komunës, Kadri Rahimaj, i cili, siç u shpreh kryeministri, ka vënë në fokus politikat për fëmijët dhe për nënat, në mënyrë që fëmijët këtu të kenë edhe arsimim e edukim, por edhe gratë të kenë sa më shumë kohë dhe mbështetje, në mënyrë që ato të mund kthehen në tregun e punës ose të mund të vazhdojnë shkollimin e avancimin e tyre, e që mund ta kenë ndërprerë për shkak të lindjes dhe nevojës për kujdesin e fëmijëve. Ai gjithashtu i dha mbështetje të plotë kryetarit Rahimaj dhe komunës së Kamenicës për planet e tyre për mësim gjithë-ditor.

Ministrja Nagavci, tha se jemi gjithmonë bashkërisht në angazhimin tonë që të kontribuojmë për fëmijët tanë, për nxënësit edhe për stafin, i cili punon me fëmijët tanë për çdo ditë. “Kjo çerdhe nuk është vetëm një objekt, nuk është vetëm një hapësirë me ambiente sipas standardeve më bashkëkohore, por është një mundësi që u ofrohet fëmijëve të Koretinit që të fillojnë edukimin që nga mosha e hershme, e i cili është krucial për zhvillimin e tyre të mëtutjeshëm”, u shpreh ajo. Ministrja Nagavci gjithashtu u shpreh e lumtur që rreth 70 fëmijë veçse janë regjistruar për të vijuar edukimin në këtë çerdhe.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, tha se nga viti 1982 kur është ndërtuar çerdhja e parë në Kamenicë nuk ka pasur asnjë çerdhe tjetër publike për më shumë se katër dekada. “Me përkushtimin tonë, angazhimin tonë, bashkërendimin e aktiviteteve me ministritë konkrete, në këtë rast me Ministrinë e Arsimit, Kamenica po i gëzon edhe dy çerdhe të reja dhe se kjo ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit tonë të drejtpërdrejtë”, tha ai,