Largimi nga detyra i zv.ministrit të Brendshëm, Koçiu: Shkelje e pajustifikuar e ligjit

23:22 | 22 Shtator 2025
E.G

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu njoftoi sot largimin nga detyra të zëvendësministrit Andi Mahila. Shkak për vendimin është konsumi i duhanit nga ana e Mahilajt në një restorant.

Ministrja Koçiu në një postim në rrjetet sociale thekson se ka marrë një denoncim nga një bashkatdhetar shqiptar me banim në Nju-Jork, i cili bashkë me familjen kishte përjetuar shqetësim për faktin se zëvendësministri i Brendshëm tymoste cigare në restorant.

Ministrja Koçiu, theksoi se pasi bëri verifikimin përkatës, i komunikoi zëvendësministrit, largimin nga detyra.

Koçiu u shpreh se “çdokush mund të gabojë pa dashje dhe mund të mirëkuptohet, por të pish cigare brenda në lokal nuk është një gabim pa dashje, po një shkelje e pajustifikueshme e ligjit. Aq më tepër për një drejtues të një institucioni si Ministria e Punëve të Brendshme”.

Koçiu tha se nga ana e saj ka njoftuar bashkëatdhetarin që dërgoi mesazhin, se shqetësimi i tij i drejtë nuk ra në vesh të shurdhër.

Në mbyllje të reagimit publik, ministrja Koçiu i siguroi të gjithë qytetarët që do të denoncojnë shkelje të cilitdoqoftë, se do të dëgjohen me të njëjtin respekt.

“Jo vetëm me fjalë, po me qëndrimet parimore që ata me plot të drejtë presin prej nesh”, përfundoi Koçiu.

Andi Mahila mbante detyrën si zëvendësministër i Punëve të Brendshme që nga janari i vitit 2021./atsh.al