Pas Konates, Reali i vihet pas një tjetër mbrojtësi që Liverpooli e do me çdo kusht

16:55 | 22 Shtator 2025
D.H

Reali i Madridit po shndërrohet edhe në tregun e transferimeve në makthin më të madh të Liverpoolit.

Në Champions League kjo tashmë është provuar, pasi i kanë mposhtur në finalet e fundit ku janë përballur, shkruan Arbresh.info.

Por jo vetëm kaq ata kanë marrë edhe lojtarë shumë të rëndësishëm që “The Reds” i konsideronin thelbësorë. Duket se kjo nuk do të ndalet.

Verën e ardhshme, Reali synon ta transferojë Ibrahima Konaté. Kontrata e francezit po skadon dhe deri tani Liverpool nuk ka arritur ta bindë për rinovim.

Ai nuk është i vetmi qendërmbrojtës që “Los Blancos” duan t’ua rrëmbejnë anglezëve. Marc Guéhi këtë verë ishte shumë pranë Liverpoolit, pikërisht si zëvendësues i mundshëm i Konatés.

Por sipas raportimeve nga Anglia, qendërmbrojtësi anglez ka ndryshuar mendim. Ai u ka bërë të qartë agjentëve të tij se dëshiron të transferohet te Reali i Madridit verën e ardhshme.

Kur t’i përfundojë kontrata, Guéhi preferon të bashkohet me madrilenët në vend që të shkojë te Liverpool.

Fillimisht ishte shumë pranë klubit anglez, por pas zhvillimeve të fundit në këtë merkato, ka ndryshuar qëndrim. Tani dëshiron të testojë opsionet që ka për një kalim te Reali.

Megjithatë, pavarësisht lëvizjes së Guéhit, objektivi kryesor i Realit mbetet Konaté. Nëse ai nuk rinovon me Liverpoolin, “Los Blancos” e shohin si qendërmbrojtësin ideal për ta afruar.

Ata duan të ndjekin të njëjtin plan që kishin me Trent Alexander-Arnold, për të siguruar shërbimet e tij. Kjo nuk do të thotë se Reali do të përjashtojë menjëherë mundësinë e transferimit të Guéhit.

Përkundrazi, ata e konsiderojnë një alternativë serioze si plan B, pasi edhe ai do të ishte i lirë dhe një lojtar i ri me shumë vite përpara në nivele të larta./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale