Man Cityt i ikën fitorja nga duart në “Emirates Stadium” – Martinelli hero i Arsenalit

19:33 | 21 Shtator 2025
D.H

Arsenali ka arritur t’i shmanget humbjes së dytë në këtë sezon në çastet e fundit. Skuadra e Artetas mori një barazim të madh me rezultat 1-1 ndaj Manchester Cityt, sfidë kjo e vlefshme për xhiron e pestë në Premier League.

Pas vetëm nëntë minutash, Haaland realizoi golin e vetëm në këtë sfidë, pas një asistimi nga Tijjani Reijnders, shkruan Arbresh.info.

Noni Madueke rrezikoi në fundin e pjesës së parë por goditjen e tij e ndali Donnarumma.

Zubimendi pati një tjetër mundësi të mirë, mirëpo gjuajtja e tij shkoi mbi portë, në minutën e 48-të.

Nëntë minuta më vonë David Raya e shpëtoi Arsenalin nga goli i sigurt, pasi e priti një goditje të sulmuesit norvegjez, Erling Haaland. Po ashtu Doku rrezikoi një herë tjetër tetë minuta para fundit por as ky rast nuk solli gol.

Kur të gjithë po e prisnin një fitore të Cityt, në skenë u shfaq i inkuadruari në lojë, Gabriel Martinelli i cili me një gol të bukur barazoi rezultatin në minutën e tretë shtesë.

Deri në fund nuk pati raste tjera dhe dy skuadrat morën nga një pikë. Me këtë barazim Arsneali është i dyti me 10 pikë pesë më pak se Liverpooli liderë, kurse Man City pas pesë xhirosh ndodhet në pozitën e nëntë me shtatë sosh.

Ndeshjen e radhës City e luan me Burnleyn kurse Arsenali takohet me Newcastle./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale