Kryeinspektori brenda 6 muajve do të raportojë për punësimet në AKI

14:36 | 8 Prill 2015
M. A.

Kryeinspektori i përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shkëlzen Sopjani, brenda gjashtë muajve do ta sjellë para anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, një raport në detaje lidhur me punësimet e personelit në këtë institucion nga ish-drejtori Bashkim Smakaj.

Këtë ia kanë kërkuar sot anëtarët e Komisionit, pasi kryeinspektori Sopjani ka raportuar për punën e tij dhe objektivat që ka pas marrjes së detyrës.
Kryetari i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala, tha se kryeinspektori Sopjani raportoi për gjendjen që ka gjetur prej se ka ardhur në krye të Inspektoratit të AKI-së, për të cilën tha se nuk ka qenë e mirë, por jo edhe aq e keqe sa e kanë paraqitur mediat.
“Inspektori do ta bëjë auditimin e personelit prej ditës së parë kur ka filluar punën Agjencioni, e deri më sot. Brenda 6-mujorit të parë ai do të na sjellë një raport lidhur me gjithë të punësuarit në AKI”, tha Shala.
Këtë raport të detajuar rreth punësimeve në AKI, Shala tha se ia kanë kërkuar kryeinspektorit Sopjani për t’i hequr dilemat rreth dyshimeve se ish-drejtori i AKI-së, Bashkim Smakaj ka bërë punësime të të afërmeve, shokëve të tij nga policia, e tjerë.
“Sfidat që ballafaqohet Inspektori i Përgjithshëm me auditimin e personelit varet prej drejtorit pasi është detyrë e tij që të hulumtojë punësimin e të gjithëve. Kjo është një ndër sfidat e para që do të ballafaqohet inspektori brenda AKI-së… Po ne si Komision i kemi kërkuar këtë që të heqim dilemat që ka pasur se drejtori i mëparshëm ka punësuar shokë të tij, miqësi, policë, kështu që ta kemi një raport në detaje”, tha Shala.
Ndërkohë, ende mbetet mister dorëheqja e ish-drejtorit të AKI-së Bashkim Skamaj, pasi Shala thotë se ende nuk kanë ndonjë raport tjetër nga kryeministri, pos atij zyrtar se Smakaj ka dhënë dorëheqje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme