Klubi i MLS tërhiqet nga gara për Robert Lewandowskin

18:49 | 26 Prill 2026
D.H

E ardhmja e Robert Lewandowski vazhdon të mbetet e paqartë, por një nga klubet e interesuara duket se ka hequr dorë nga gara për transferimin e tij.

Sipas raportimeve të “The Athletic”, Chicago Fire, që më herët kishte shprehur interes serioz për sulmuesin polak, tashmë e konsideron “pak të mundshme” arritjen e një marrëveshjeje, shkruan Arbresh.info.

Madje, drejtuesit e klubit amerikan kishin udhëtuar në Barcelona në muajin dhjetor për t’i paraqitur një ofertë konkrete, duke synuar ta bënin yllin kryesor të skuadrës.

Mungesa e një përgjigjeje nga Lewandowski duket se ka bërë që klubi i MLS të ndryshojë fokus.

Aktualisht, ata po shqyrtojnë vazhdimin e bashkëpunimit me sulmuesin Hugo Cuypers, i cili ka nisur sezonin në formë të shkëlqyer me gjashtë gola në pesë ndeshje dhe mund të zgjasë kontratën deri në vitin 2027.

Ndërkohë, situata e Lewandowskit pritet të qartësohet shumë shpejt.

Agjenti i tij, Pini Zahavi, pritet të mbërrijë në Barcelonë në ditët në vijim për të diskutuar dy opsione: vazhdimin e kontratës edhe për një vit me Barcelonën ose largimin pas katër sezonesh të suksesshme.

Në Itali, ndërkohë, raportimet flasin për interesim nga Juventus dhe Milani, të cilat po monitorojnë nga afër situatën e sulmuesit.

Pavarësisht spekulimeve, Lewandowski mbetet i fokusuar te fundi i sezonit në LaLiga me Barcelonën, ndërsa vendimi përfundimtar për të ardhmen e tij duket se është vetëm çështje kohe./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale