Liga e Kampionëve nis sonte, kurse kampioni në fuqi i këtij kompeticioni Paris Saint-Germain e fillon edicionin e ri nesër në “Parkun e Princave”, ku është nikoqir i Atalantas.
Gjatë ditës së sotme trajneri, Luis Enrique është paraqitur para mediave, ku ka folur për objektivat dhe synimet e kampionit në fuqi për këtë edicion të ri, shkruan Arbresh.info.
Fillimisht ai tha se nuk sheh ndonjë ndryshim nga sezoni i kaluar, vetëm se besimi është akoma më i madh.
“Nuk shoh ndonjë ndryshim nga sezoni i kaluar. Çdo ndeshje është e vështirë. A po luajmë pak më keq? Nuk jam dakord. Ne gjithmonë analizojmë atë që bëjmë. Sezoni i kaluar ishte i vështirë për shkak të efikasitetit të ulët. Por kjo është një pjesë normale e një procesi për një ekip që dëshiron të përmirësohet. Tani kemi më shumë besim në Ligën e Kampionëve sesa kishim vitin e kaluar”, ka thënë fillimisht Enrique.
Më tej ai theksoi se synim i klubit është mbrojtja e titullit.
“Pasi fituam titullin evropian, qëllimi ynë, dhe gjithashtu qëllimi i klubit, i qytetit dhe i tifozëve tanë është të bëjmë histori përsëri dhe të fitojmë Ligën e Kampionëve për herë të dytë radhazi. Duhet të jemi ambiciozë”, u shpreh spanjolli.
Enrique është i bindur se skuadra e tij mund ta fitojë sërish këtë trofe.
“Të fitosh titullin e parë është gjithmonë e vështirë, sepse lojtarët nuk mendojnë se janë të aftë ta bëjnë. Por ne ua treguam rrugën. Tani i gjithë PSG dhe lojtarët e rinj duan të fitojnë, sepse e dinë që janë të aftë. Për mua, është më e vështirë të fitosh herën e parë sesa të dytën apo të tretën”.
“Nuk kam nevojë të bëj asgjë, lojtarët janë po aq ambiciozë sa sezonin e kaluar. Vitin e kaluar thashë se lojtarët e shijojnë futbollin, dhe është e lehtë për mua t’i motivoj ata. Ne jemi të bindur se kemi një shans për të fituar sërish këtë trofe”, përfundoi trajneri i PSG-së.
Kujtojmë se skuadra e vetme në histori të këtij kompeticioni e cila e ka mbrojtur titullin kampion është Real Madridi, madje e fituan tri herë radhazi./Arbresh.info
Aksident në Gjilan, vetura rrokulliset në mes të rrugës
Kremlini: Presim përgjigjen e SHBA pas bisedimeve të paqes
Oda Ekonomike me kallëzim penal ndaj ZRRE-së
Shorti i Botërorit 2026: Për herë të parë do të përmenden Ko...
Kërkoi kohë për t’u njohur me aktet, sot seanca paraprake në...
Putin: Rusia do ta marrë Donbasin me forcë nëse trupat ukrai...