Berisha pas paraqitjes në SPAK: Në dhjetor, Dumani do të largohet si puçist

11:46 | 15 Shtator 2025
E.G

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se ai do të vazhdojë t’i bindet këshillave të avokatëve në lidhje me çështjen gjyqësore që SPAK ka ngritur ndaj tij.

Të hënën, kryedemokrati u paraqit sërish para oficerit të Policisë Gjyqësore duke qenë me masën e detyrimit për paraqitje si i pandehur në dosjen “Partizani”.

“Unë do të veproj në përputhje me këshillat e avokatëve. Kur avokatët më këshillojnë që unë të jem i pranishëm në sallën e gjyqit, do të shkoj pa asnjë hezitim. Por edhe atje ka një radhë. Kur ata e gjykojnë të arsyeshme do të shkoj,” u shpreh z. Berisha.

Në një deklaratë për mediet jashtë ambienteve të SPAK-ut, z. Berisha nuk u kursye sërish me akuzat ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani. Ai e akuzoi se është një vegël në duart e kryeministrit Edi Rama, dhe “autor i krimeve të rënda kushtetuese”.

Kreu i trupës së posaçme hetuese synon një mandat të dytë në SPAK, por z. Berisha tha se ai nuk ka më as mbështetjen e një partneri si Amerika.

“Mandati i tij skadon në dhjetor dhe ky largohet si kryetar i këtij institucioni si një puçist që e zhyti në krim, që fjeti mbi dosjet e krimit dhe që unë e garantoj se për secilën prej tyre do përballet me ligjin. Kjo prokurori është prokurori e shtetit dhe nuk është e asnjë individi. Dhe ai do përballet me ligjin. E vlerësoj dhe e çmoj shumë qëndrimin e ri të Departamentit të Shtetit në SHBA, i shprehur nga përfaqësuesja e këtij vendi në Tiranë se mandati i tij mbaron dhe kjo nuk ka komente,” deklaroi kryedemokrati./rtsh.al/

Të ngjashme