Replikat me Nigel Farage për shqiptarët e burgosur në Britani, Rama për “Times Radio”: Pjesë e mozaikut të gënjeshtrave që u servirën për Brexit

07:39 | 15 Shtator 2025
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është kundërpërgjigjur deklaratave të liderit të partisë “Reform UK”, Nigel Farage, lidhur me numrin e shqiptarëve në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, duke i cilësuar si gënjeshtra të përdorura gjatë fushatës së Brexit.

Në një intervistë për “Times Radio”, Rama theksoi se numri i shqiptarëve që kanë hyrë ilegalisht në Britani ka rënë ndjeshëm dhe nuk përbën më një diskutim të rëndësishëm politik. Ai shtroi gjithashtu pikëpyetjen se si do të funksiononin disa sektorë kyçë të ekonomisë britanike pa kontributin e emigrantëve, duke përmendur ndërtimin, shërbimet dhe transportin.

“Nuk ka një numër të lartë të shqiptarëve të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar që të veçohen nga totali i të burgosurve apo nga shtetasit e vendeve të tjera. Këto janë pjesë të një mozaiku më të gjerë gënjeshtrash dhe argumentesh mashtruese që iu servirën qytetarëve britanikë për t’i bindur të dalin nga Bashkimi Evropian. Ku do t’i gjeni njerëzit për të ndërtuar shtëpitë tuaja, për t’ju shërbyer kafen, për të drejtuar taksitë dhe kamionët tuaj”, u shpreh Rama gjatë intervistës.

Rama ripërsëriti ftesën drejtuar Nigel Farage për të vizituar Shqipërinë, duke e përshkruar vendin si “jo thjesht një vend të bukur, por më të bukurin”, falë natyrës së saj të paprekur dhe autenticitetit mesdhetar.

Ai sugjeroi se një vizitë në Shqipëri mund të ofrojë një perspektivë të re për ata që besojnë se e kaluara është më e mirë se e ardhmja.

“Ai (Farage) ka thënë se do të vijë për një vizitë, dhe unë do të jem shumë i lumtur ta takoj. Është një mundësi e mirë për të njohur nga afër një njeri me shumë talent e inteligjencë, pavarësisht nga teatraliteti i tij politik, dhe për t’i treguar bukuritë e Shqipërisë. Mbase e bindim ta zgjedhë Shqipërinë si destinacion për pushimet e tij”, komentoi Rama.

Këto replika vijnë pas një serie komunikimesh në rrjetet sociale gjatë muajve të verës mes dy politikanëve, ku tema kryesore ishte ajo e emigrantëve shqiptarë.

Rama: “Diella” nuk korruptohet, dhe nuk ka preferenca familjare

Kryeministri Rama, gjatë intervistës për radion britanike ‘Times Radio’, e cilësoi Inteligjencën Artificiale (AI) si një bekim për Shqipërinë, duke theksuar potencialin e saj për të përshpejtuar reformat dhe modernizimin strukturor të vendit.

Rama veçoi aftësitë unike të AI-së, duke e krahasuar atë me një “diell që nuk perëndon kurrë”.

Ai shpjegoi se AI-ja, e emërtuar “Diella” (që në shqip do të thotë diell), “nuk lodhet, nuk ka interesa personale, nuk korruptohet, dhe nuk ka preferenca familjare apo privilegime, cilësi që sipas tij, janë probleme të mëdha në vend.”

Kryeministri shtoi se AI-ja nuk ndryshon mendje dhe nuk ka ndonjë shqetësim nëse pushohet nga puna, duke theksuar se ajo mund të performojë më mirë se njerëzit.

Rama gjithashtu theksoi se “AI-ja po ndihmon Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke dhënë si shembull përkthimin në kohë rekord të grupkapitujve të negociatave”.

Ai shtoi se kjo teknologji e re është thelbësore për të fituar kohën e humbur gjatë dekadave.