Manastirliu, kandidatja e PS për Bashkinë Tiranë, Ristani: Privilegj t’i shërbeja qytetit, suksese Ogertës

16:52 | 11 Shtator 2025
E.G

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka reaguar pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet, duke mbështetur propozimin e Partisë Socialiste për kandidaturën e Ogerta Manastirliut.

Ristani e konsideron Tiranën “sfidën dhe dashurinë më të madhe të jetës profesionale”, duke theksuar se për më shumë se një dekadë ka pasur nderin të shërbejë për qytetin, edhe në periudhën më të vështirë për Bashkinë.

Ajo nënvizon transformimin që ka përjetuar Tirana gjatë këtyre viteve, duke e lidhur atë me vizionin dhe punën e përbashkët të skuadrës së bashkisë.

“Tirana është sfida dhe dashuria më e madhe e jetës sime profesionale. Për më shumë se dhjetë vite kam pasur nderin të shërbej për këtë qytet, duke dhënë më të mirën, e bindur se Tirana meriton më të mirën. Detyra ime si Kryetare e Deleguar ka ardhur në periudhën më të vështirë dhe më të pazakontë për Bashkinë e Tiranës dhe për qytetin. Në thellësinë e ndërgjegjes sime, kam bërë gjithçka që kam mundur, duke e ndier këtë përgjegjësi si një detyrim moral dhe qytetar: me vendosmërinë për të mos çbërë asnjë milimetër nga progresi i arritur gjatë këtyre dhjetë viteve.

Transformimi i madh që Tirana ka përjetuar është fryt i vizionit dhe i punës së përbashkët të një skuadre të përkushtuar. Për këtë përvojë si qytetare dhe bashkëpunëtore do të jem gjithmonë mirënjohëse ndaj Kryetarit Erion Veliaj. Qyteti ynë është rritur. Është sot më modern, më i gjallë, me më shumë shërbime, më social, me më shumë investime në infrastrukturë, arsim, kulturë e sport, me më shumë hapësira publike e gjelbërim. Dhe ky është një rrugëtim që vazhdon.

Në këto muaj, sfidat kanë qenë kryefjala. Ndaj dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për çdo koleg, çdo qytetar që ka kontribuar, dhe veçanërisht për Kryeministrin z. Edi Rama, për përkujdesjen dhe mbështetjen e vazhdueshme edhe në momentet më delikate. Shërbimi ndaj Tiranës ka qenë privilegji më i madh i jetës sime. Deri në ditën e fundit do të mbetem në detyrë me të njëjtin përkushtim si në ditën e parë. E bindur në fitoren e Partisë Socialiste për Tiranën i uroj Ogertës suksese në këtë rrugëtim”, shkruan Ristani.

Anuela Ristani qëndroi si kryetare e komanduar për 7 muaj, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Gjatë Asamblesë së PS, kryeministri Edi Rama u kërkoi anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak që të ndërmarrin mekanizmat e duhur ligjorë për të shkarkuar nga detyra kryetarin aktual që t’i hapet rruga pasardhësit.

/rtsh.al/

Të ngjashme