Gjykata Kushtetuese ka dalë me reagim pasi kryeministri në detyrë, njëherit kryetari i VV’së, Albin Kurti dhe nënkryetari Glauk Konjufca në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, sulmuan Gjykatën Kushtetuese e cila të premten vendosi një masë të të përkohshme, duke ua ndaluar deputetëve ndërmarrjen e çdo veprimi apo zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së deri më 30 shtator.
Përmes një reagimi, Kushtetuesja i ka quajtur këto deklarata si të pamatura, duke shtuar se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës.
“Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet në reagim.
Sa i përket vendimeve, Kushtetuesja ka thënë se ato bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
“Rrjedhimisht, çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit. Gjykata apelon tek të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues. Vetëm përmes respektimit të këtij parimi themelor mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagim.
Ndryshe, Kurti tha se Gjykata Kushtetuese po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj VV-së.
Ndërsa, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca paralajmëroi se Gjykata Kushtetuese mund ta bëjë një “tradhti shtetërore” ndërsa foli për aktgjykimin që deri në fund të muajit pritet ta marrë instanca më e lartë gjyqësore, që është mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, lidhur me mënyrën e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit./Arbresh.info/
Veç gjashtë parti kanë dorëzuar listat me kandidatë për depu...
Vdes nëna e kryetarit të Shtimes, Qemaj Aliut
Shaqiri realizon gol në fitoren e Baselit
Gjendet trupi i pajetë i një gruaje në lumin e fshatit Graba...
KQZ mban sot mbledhje, ky është rendi i ditës
Nesër ndërpritet furnizimi me ujë në Bregun e Diellit