Ten Hag pas largimit nga Leverkuseni: Të ndahesh me një trajner pas vetëm dy ndeshjeve të ligës është diçka absolutisht e paprecedentë

16:54 | 3 Shtator 2025
D.H

Bayer Leverkusen ka shkarkuar trajnerin Erik ten Hag vetëm pas dy ndeshjeve të para në Bundesligë. Holandezi ka reaguar menjëherë me një deklaratë publike, ku shprehet i habitur dhe i zhgënjyer nga vendimi i klubit.

“Vendimi i drejtuesve të Bayer Leverkusen për të më larguar erdhi si një befasi e madhe. Të ndahesh me një trajner pas vetëm dy ndeshjeve të ligës është diçka absolutisht e paprecedentë.”

“Këtë verë, shumë lojtarë kyç që ishin pjesë e suksesit të kaluar u larguan nga skuadra. Ndërtimi i një ekipi të ri është një proces i kujdesshëm që kërkon si kohë ashtu edhe besim.”

“Një trajner i ri meriton hapësirë për të zbatuar vizionin e tij, për të vendosur standardet, për të formësuar skuadrën dhe për të lënë shenjën e tij në stilin e lojës.”

“E nisa këtë punë me bindje të plotë dhe energji, por fatkeqësisht drejtuesit nuk ishin të gatshëm të më jepnin kohën dhe besimin që më nevojitej, gjë që e kam shumë për keqardhje. E ndjej që kjo kurrë nuk ishte marrëdhënie e bazuar në besim të ndërsjellë.”

“Gjatë gjithë karrierës sime, çdo sezon që kam arritur ta çoj deri në fund si trajner ka sjellë sukses. Klubet që më kanë dhënë besim janë shpërblyer me suksese dhe trofe.”

“Në fund, dua t’i falënderoj tifozët e Leverkusen për ngrohtësinë dhe pasionin e tyre, dhe uroj që skuadra dhe stafi të kenë çdo sukses deri në fund të sezonit”, tha ten Hag.

Ai u shkarkua pas tri ndeshjeve zyrtare, ku pati një fitore në Kupën e Gjermanisë, ndërkohë në Bundesligë në dy sfidat e para pati një humbje dhe një barazim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale