Nxënësit e Ukrainës u kthyen në shkolla të hënën për fillimin e vitit të ri akademik, me shpresën se do të mund të mësjnë të sigurt nën hijen e pushtimit rus. Që nga fillimi i luftës, në shkurt 2022, shkollat kanë gjetur mënyra të ndryshme për t’i vazhduar mësimet për nxënësit.
Në Bobryk, një fshat në rajonin verior Sumy — jo larg vijës së frontit, një shkollë i zhvendosi krejtësisht klasat e saj në bodrum, në mënyrë që nxënësit, arsimi i të cilëve tashmë ishte prekur nga mbylljet e COVID-it, të mund të mësonin fizikisht.
“Duhet të bëjmë gjithçka që kjo gjeneratë të mos humbasë,” tha drejtori Oleksii Korenivskyi. “Koha është e vetmja gjë që nuk mund ta rikuperosh. Këta janë e ardhmja jonë, dhe duhet të japim gjithçka që kemi”, raporton AP.
Tani, në një bodrum të një ndërtese administrative që kurrë nuk ishte menduar të shërbente si shkollë, klasat shtrihen përgjatë një hapësire të ngushtë, disa të ndara vetëm me fletë plastike të trasha. Nuk ka dritare apo dyer. Gjatë mësimit, zërat e fëmijëve përzihen në një kor.
Të hënën, shumë prej tyre mbërritën me këmisha tradicionale të qëndisura, vyshyvanka. Bankat e mësuesve ishin të mbushura me lule të freskëta që fëmijët ua sollën si dhuratë tradicionale për fillimin e vitit.
“Fatkeqësisht, ky ‘fqinj’ nuk do të largohet askund,” tha Oleksii, duke iu referuar Rusisë, teksa përshkruante sa shumë punë ishte dashur për ta bërë këtë realitet dhe se ia vlente.
Bodrumi, dikur i lagësht dhe i errët, u rinovua me ventilim, rrymë elektrike dhe dysheme të re.
Ky është vetëm një shembull se si ukrainasit po përshtaten për ta mbajtur jetën në lëvizje, me asnjë fund në horizont për sulmin rraskapitës të Rusisë.
Bobryk, me një popullsi prej rreth 2,000 banorësh, ka një shkollë të vogël me klasa prej rreth 10 nxënësish secila. Këtë vit, vetëm shtatë fëmijë u ulën në klasën e parë./rtk
OVL e UÇK-së thërret konferencë për media
Superheronjtë zbresin sot në QKUK me dhurata dhe buzëqeshje ...
A ka ende mundësi për një bashkëpunim PDK-Nisma – Gruda jep ...
Sot mbahen seancat inauguruese në katër komunat veriore të K...
Moti sot kryesisht i vranët, herë pas here priten edhe reshj...
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...