Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet se e arrestuara nga autoritetet kroate nën dyshimet për spiunazh për Serbinë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale nga Zyra e Kryeministrit.
“Në lidhje me pretendimet se personi me inicialet A.M., serbe nga Mitrovica, e cila është arrestuar nga autoritetet kroate për dyshime për spiunazh për Serbinë, ka pasur lidhje edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, në krye të herës duam ta bëjmë të qartë për publikun se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilat përbëhen nga të emëruar politikë. Më tej, duam të theksojmë se qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit është strikt e kufizuar. Andaj ne hedhim poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit”, ka shkruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Ai tutje ka shkruar se viteve të fundit, si pasojë e humbjes së kontrollit në veri përmes rrjetit kriminal të udhëhequr nga Milan Radojiçiq, Serbia ka rritur aktivitetet e spiunazhit.
“Dhe ne vazhdimisht kemi ngritur në publik shqetësimet tona mbi aktivitetet e inteligjencës serbe në territorin e Republikës së Kosovës. Ju kujtojmë se në muajin korrik një toger i Policisë së Kosovës, i etnisë serbe, ishte arrestuar mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi në Republikën e Kosovës, për interesa të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), me synim rrezikimin e sigurisë në përgjithësi dhe operacionet e Policisë së Kosovës në veçanti. Kurse në shkurt ishte arrestuar një person tjetër mbi dyshime për spiunazh, po ashtu e etnisë serbe, e cila punonte në misionin e OSBE-së në Kosovë. Institucionet tona të sigurisë dhe inteligjencës po punojnë në vazhdimësi e me vigjilencë të lartë, dhe suksesshëm po i kundërvihen përpjekjeve dashakeqe dhe destabilizuese të Serbisë në Kosovë”, ka shkruar zëdhënësi e ekzekutivit në Facebook.
Ai ka treguar për gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për bashkëpunim me ato të Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit.
“Duke qenë se veprimtaria e A.M. dhe shtetasit kroat, të dy të arrestuar në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë, institucionet tona janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit”, ka shtuar ai.
LEXO EDHE:
Tërmet në Kosovë në orët e hershme të mëngjesit
Autobusi me 40 student bie në humnerë në Kolumbi, 16 të vdek...
“E kam vërejt që është ftohë”, Edi dhe Dolce drejt ndarjes?
Moti sot në Shqipëri me ulje të temperaturave
Punime në rrjetin, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje t...
Sulmi me 16 viktima në Australi, Kryeministri propozon ligje...