Haradinaj- Abdixhikut: Vazhdo të vendnumërosh se kjo të shkon për shtati ty, Lumir

19:41 | 26 Gusht 2025
E.G

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i është kundërpërgjigjur Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, i cili e quajti “gabim trashanik” votën e PDK-së dhe AAK-së pro zgjedhjes së Dimal Bashës si Kryetar i Kuvendit teksa dy partive iu referua si ish-opozitë.

Haradinaj ka thënë se AAK ka bërë atë që ka pasur përgjegjësi duke e çuar lëndën në Gjykatën Kushtetuese, teksa ka thënë se veç Abdixhiku dhe deputetët e LDK-së janë betonuar pro kësaj bllokade, shkruan Arbresh.info.

“Veç Lumir Abdixhiku me të tijët, janë betonuar pro kësaj bllokade. Lumiri ka vendnumëruar në vazhdimësi dhe po vazhdon të vendnumërojë ende. Vazhdo të vendnumërosh se kjo të shkon për shtati ty, Lumir!”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, Abdixhiku ka paralajmëruar edhe se Kosova mund të futet edhe në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me moszgjedhjen e nënkryetarit të parlamentit nga radhët e komunitetit jo shumicë serbe.

‘‘E ndjej si gabim trashanik votën e dy partive tjera të ish opozitës PDK e AAK që institucioneve të Kosovës të u japin një emër të tillë. Megjithatë ky është vullnet 73 deputetëve shumicës, LDK e respekton këtë vullnet por s’mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione. Besoj se do të futemi në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicave në Republikën e Kosovës, në radhë të parë pakicës serbe e cila duhet të ketë qartësi sa i përket të drejtë për propozim. Ajo çka është fatkeq është që Kosova me institucionet e saj të mos mbetet peng i vullnetit të Beogradit. Ne s’marrim pjesë që s’i konsiderojmë si Kushtetuese në radhë të parë dhe për këtë arsye mbajmë qëndrim parimor’’, ka thënë ai./Arbresh.info/

Abdixhiku i quan ish-opozitë PDK-në dhe AAK-në pasi i dhanë votat për Bashën: Gabim trashanik