U mbajt takimi i parë i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”

22:22 | 19 Gusht 2025
D.H

Nën udhëheqjen e presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, është zhvilluar takimi i parë i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Në takim, KOK u përfaqësua edhe me sekretarin e përgjithshëm Besim Aliti dhe nënpresidentin Milaim Kelmendi, komuna e Prishtinës me kryetarin Përparim Rama dhe përfaqësuesin Vllaznim Osmani, MKRS me Fidan Shatrin, u.d. drejtor ekzekutiv i Agjencisë për Sport dhe Atifete Jakupaj.

Në këtë mbledhje u diskutua për hapat e parë drejt organizimit të ngjarjes më të madhe sportive që do të mbahet ndonjëherë në Kosovë. Në rend dite ishin prezantimi i anëtarëve të komitetit organizativ, udhëzimet e para të ardhura nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG), si dhe obligimet që burojnë nga marrëveshja e qytetit mikpritës.

Po ashtu, u trajtuan çështje të rëndësishme si rregullorja e brendshme e organizimit, procesi i financimit sipas marrëveshjes së mirëkuptimit me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, identiteti vizual dhe logoja e ngjarjes, si dhe planifikimi i veprimeve të menjëhershme që do të ndërmerren në muajt e ardhshëm.

Takimi u përmbyll me diskutimin mbi menaxhimin administrativ dhe çështje të tjera praktike, duke u cilësuar si një hap i madh drejt rrugës organizative për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.