Muhamet Musliu dënohet me 1 vit burgim me kusht për nxitje të përçarjes mes grupeve fetare

15:24 | 19 Gusht 2025
E.G

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar marrëveshjen e fajësisë të lidhur mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Muhamet Musliu, i cili akuzohej për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit përmes postimeve në rrjetet sociale.

Sipas marrëveshjes, Musliu është dënuar me një vit burgim me kusht, me detyrimin që brenda tre vitesh të mos kryejë ndonjë vepër tjetër penale.

Prokurorja e rastit, Fikire Fejzullahu, tha se marrëveshja është në përputhje me dispozitat ligjore dhe se i akuzuari është mbrojtur në mënyrë profesionale gjatë gjithë procedurës.

Ajo theksoi se sipas kësaj marrëveshjeje Musliut i është shqiptuar një vit burgim me kusht, duke shtuar se me këtë dënim “do të arrihet efekti i ndalimit, parandalimit individual të kryerësve të mundshëm të veprave penale të kësaj natyre, si dhe risocializmi optimal i të akuzuarit”.

“Prokuroria konsideron se marrëveshja e arritur mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Muhamet Musliu është në përputhje me dispozitat e procedurës penale, për faktin që i akuzuari që nga fillimi i procedurës penale është mbrojtur përmes mbrojtës profesionale me të cilët ka pasur mundësi të këshillohet dhe udhëzohet mjaftueshëm për pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë dhe marrëveshjes së arritur, ashtu që sipas kësaj marrëveshjeje të akuzuarit i është shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej një viti me kusht që i njëjti brenda tre vitesh të mos kryejë veprën penale nxitja e përçarjes apo mosdurimit sipas aktakuzës dhe as ndonjë vepër tjetër penale. Rrjedhimisht, duke i shqyrtuar dhe vlerësuar të gjitha provat dhe shkresat e tjera të lëndës, Prokuroria beson se me një dënim të tillë do të arrihet efekti i ndalimit, parandalimit individual të kryerësve të mundshëm të veprave penale të kësaj natyre. Dhe se me këtë dënim besohet të arrihet risocializmi optimal i të akuzuarit, intencë kjo e Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale dhe shoqërisë në përgjithësi. Bazuar në këtë, gjykatës i propozoj që marrëveshjen si të tillë ta aprovojë dhe të akuzuarit Muhamet Musliu t’i shqiptojë dënimin sipas kësaj marrëveshjeje”, tha ajo./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale