Është vënë gurthemeli i objektit të ri të zjarrfikësve në Suharekë

21:32 | 18 Gusht 2025
E.G

Në Suharekë u vendos guthemeli i objektit të ri të zjarrfikësve. Ky projekt i cili realizohet përmes bashkëfinancimit të Komunës së Suharekës dhe Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, synon të krijojë kushte më të mira për zjarrfikësit dhe të rrisë efikasitetin e reagimit në raste emergjente. Ky investim shihet si një hap i rëndësishëm për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Është vënë gurthemeli i objektit të ri të zjarrfikësve në Suharekë. Ky projekt i rëndësishëm pritet të shërbejë për sigurinë më të madhe publike dhe po realizohet në bashkëpunim me shoqatën “Jetimat e Ballkanit”.

“Jam shumë i lumtur për arsye se po fillojmë gurthemelin e zjarrfikësve, të cilin e kemi kërkuar me vite të tëra dhe shfrytëzoj rastin të falënderoj shoqatën ‘Jetimat e Ballkanit’, pasi që jep pjesën më të madhe të shumës së investimit. 600 mijë euro është vlera për ndërtimin e këtij objekti, ndërsa komuna jep 250 mijë euro. Sidoqoftë, po mundohemi të krijojmë kushte më të mira për zjarrfikësit, të cilët vazhdimisht janë në terren dhe janë duke punuar. Shpreh falënderimin tim”, tha kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.

Halil Kastrati nga “Jetimat e Ballkanit”, ka theksuar se është një ditë e veçantë, vënja e gurthemelit të objektit të ri të zjarrfikësve në Suharekë.

“Duke pasur parasysh që vitet e fundit Kosova ballafaqohet me zjarre të shumta në shumë vende. Ka pasur një kërkesë nga komuna e Suharekës për heronjtë e gjallë, siç e tha edhe kryetari, dhe është miratuar që këta t’i kenë kushtet më të favorshme për punë”, tha ai.

Ky investim u mirëprit edhe nga komandanti, pasi pritet t’i fuqizojë kapacitetet e shërbimeve të zjarrfikësve, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e qytetarëve dhe të pronës së tyre.

“Është një objekt i cili ka një domethënie shumë të madhe për shërbimin e zjarrfikësve dhe i cili po i plotëson kushtet për punë të mëtejshme”, theksoi Vehbi Krasniqi, komandant i zjarrfikësve në Suharekë.

Rajoni i Suharekës së fundmi është përballur me zjarre të shumta, ku zjarrfikësit, edhe pse me staf të kufizuar, kanë arritur të vendosin situatën nën kontroll.