Shehi para përballjes me Shamrockun: Dallimi kryesor është se ata janë në mes të sezonit dhe kanë një grup që luan bashkë prej vitesh

20:48 | 6 Gusht 2025
D.H

Ballkani luan ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues për Ligën e Konferencës ndaj Shamrock Rovers.

Një ditë para këtij takimi në konferencë për media ka dal trajneri Orges Shehi, së bashku me futbollistin Arbër Potoku, shkruan Arbresh.info.

Shefi i shtabit teknik të Ballkanit theksoi se dy skuadrat janë cilësore, por dha edhe një dallim mes këtyre dy skuadrave.

“Është një ndeshje e rëndësishme ndaj një kundërshtari që ka dominuar në kampionatin e vet dhe ka marrë pikë në fazën e grupeve në Evropë. Megjithatë, edhe ne kemi përvojën tonë, dhe kjo përballje është mes dy skuadrave me cilësi. Dallimi kryesor është se ata janë në mes të sezonit dhe kanë një grup që luan bashkë prej vitesh, ndërsa ne kemi pasur disa ndryshime në përbërje”, ka thënë Shehi.

Më tej ai tha që skuadra e tij me përqendrim maksimal do të mundohet që nesër ta shfrytëzoj terrenin vendas.

“Do të përpiqemi të bëjmë zotin e shtëpisë, me egërsi dhe përqendrim maksimal, duke kryer detyrat në mënyrë të saktë. Asgjë nuk do të vendoset nesër, por duhet të bëjmë më të mirën për të arritur rezultatin që duam”, vazhdoi Shehi.

Tutje ai tregoi dallimin mes kësaj skuadre dhe Florianas, ekip që Ballkani e eliminoi rrethin e kaluar.

“Shamrock ka një stil të ndryshëm nga Floriana. Ata kanë një modul tjetër loje dhe janë më të avancuar në aspektin fizik për shkak të vazhdimësisë së kampionatit. Është një sfidë ndryshe dhe më e vështirë”, tha Shehi.

Trajneri i Ballkanit u pyet edhe për një transferim të Bernard Berishës, ku gjatë ditës së sotme u raportua në mediat kosovare.

“Sa i përket Blenard Berishës, padyshim që do të ishte kënaqësi ta kishim në mesin tonë. Mund të shprehim dëshirat tona për një lojtar si ai, por për momentin nuk ka asgjë konkrete”, ka mohuar zërat se Berisha ka arritur marrëveshje me Ballkanin.

Ndeshja mes Ballkanit dhe Shamrock Rovers zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim nga ora 20:30./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale