Mercedes “do ta vërshojë” tregun me 15 modele të reja elektrike brenda vetëm dy vitesh

22:37 | 5 Gusht 2025
D.H

Gjigandi gjerman Mercedes-Benz ka plane të mëdha për tregun e veturave elektrike dhe po përgatitet të prezantojë 15 modele të reja, përveç sedanit të ri CLA dhe versionit më praktik të Shooting Brake, të cilat janë tashmë të disponueshme në Evropë.

Modele të reja ose të rifreskuara do të dalin në treg në dy vitet e ardhshme, sipas dokumenteve të përgatitura nga Mercedes-Benz për investitorët.

Plani përfshin gjithashtu lansimin e 15 modeleve me motorë me djegie të brendshme në të njëjtin afat kohor, dhe kompania e quan atë “programin më të madh të lansimit të produkteve në historinë e saj”.

Modelet e ardhshme do të ndahen në tre kategori.

Modelet “Entry”, të cilat shfaqen në fund të afatit kohor, përfshijnë dy automjete tërësisht elektrike, që do të mbërrijnë vitin e ardhshëm.

Mercedes nuk dha detaje rreth këtyre modeleve, por ato duhet të jenë crossover-at elektrikë të rinovuar GLA dhe GLB, të cilët tashmë kanë marrë konfirmim zyrtar.

Ekziston edhe kategoria “Core”, e cila përmban dy modele elektrike të planifikuara për vitin e ardhshëm, si dhe një për vitin 2027.

Dy të parat ka të ngjarë të jenë një crossover i ri GLC dhe një version elektrik i sedanit C-Class.

E treta është kategoria “Top-End”, në të cilën pesë modele do të debutojnë në vitin 2026, dhe pastaj pesë të tjera në vitin 2027.

Këto ka të ngjarë të përfshijnë versione të rifreskuara të modeleve EQS dhe EQE, si dhe versionet e tyre SUV.

Po punohet gjithashtu për një furgon luksoz, si dhe një super sedan elektrik me etiketën AMG, i cili u njoftua me konceptin “e egër” GT XX. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale