Balluku: Prioritet, forcimi i administratës lokale dhe lirimi i hapësirave publike në Fier

13:58 | 5 Gusht 2025
E.G

Lirimi i hapësirave publike, sfidat dhe prioritetet e reja në funksion të qytetarëve shqiptarë kanë qenë kryefjalë e takimit të mbajtur këtë të martë (5 gusht) nga zv.kryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku me administratorët e rinj të njësive administrative.

Balluku theksoi se prioritet mbëtet forcimi i administratës lokale dhe përgjigja ndaj kërkesave të kohës.

Zv.kryeministrja vuri theksin ndërkaq edhe të punësimi i të rinjve të prirur ndaj inovacionit për ofrimin e shërbimeve ndaj të moshuarve. Në këtë kuadër ajo u ndal te abuzimi i noterëve e avokatëve për ofrimin e shërbimit të e-Albania ndaj moshës së tretë.

“Kemi pasur një proces rreth 20 ditë për të bërë një reformim të administratës lokale në fier dhe kemi nisur nga më të rëndësishmit, administratorët e njësive. Fieri ka 13 njësi.

Iu është dhënë mbështetje kush ka bërë detyrën siç duhet duke i rikonfirmuar në detyrë dhe prurjeve të reja.

Na duhet forcim i administratës lokale, edhe në njësitë administrative për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës. Duhet të keni të rinj e të reja që janë të prirur ndaj inovacionit sepse duhet të ofrojmë shërbime që të moshuarit nuk mund t’i bëjnë përmes pajisjeve të tyre të telefonit. Me rastin e e-Albania është abuzuar me pamundësinë e të moshuarve nga noterë e avokatë që marrin para prej të moshuarve për aplikime për marrje certifikate familjare,

Do ju duhet ju si njësi, që brenda njësive dhe stafet që do keni në varësi t’u përgjigjen reformave që ne po bëjmë”, deklaroi Balluku.

Sa i përket aksionit të ndërmarrë nga qeveria për lirimin e hapësirave publike, Balluku u shpreh se në Fier, problematikat nuk janë sikurse në rastin e Vlorës apo Tiranës. Por shtoi se, administratorët do duhet të kenë në fokus çdo ankesë të qytetarëve për zaptimin e hapësirave publike.

“Duhet të jeni në lartësinë e duhur sepse lirimi i hapësirave publike në Fier nuk ka atë problematikë si në zona të tjera, si rasti i Vlorës apo Tiranës. Kemi qenë në terren e kam parë nga afër që se kemi atë problematikë. Por sërish kemi ankesa që vijnë nga qytetarët që po procesohen që kanë të bëjnë me sheshet e pallateve që përdoren nga parkingjet private, mure të dala jashtë konturit të kornizave.

Kjo duhet të jetë prioritet i çdo administratori që të shkojmë me rrugën që qeveria shqiptare po ecën në këto momente”, tha ajo. /rtsh.al/