Sindikata e Policisë reagon për sulmin ndaj dy zyrtarëve policorë në Viti: E papranueshme – kërkon ndëshkim të menjëhershëm

14:40 | 2 Gusht 2025
E.K

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas sulmit ndaj dy zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrës në fshatin Drobesh të komunës së Vitisë.

Në një deklaratë publike, Sindikata shpreh shqetësimin e thellë dhe e cilëson sulmin si të papranueshëm.

“Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh shqetësimin e thellë lidhur me sulmin e papranueshëm që u është bërë dy zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga tre persona të dyshuar në fshatin Drobesh, Komuna e Vitisë. Sindikata i bën thirrje organeve të drejtësisë që të jenë të pakompromis ndaj kujtdo që sulmon zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës. Dhuna ndaj pjesëtarëve të Policisë është e papranueshme dhe kërkon ndëshkim të menjëhershëm’, thuhet në njoftim.

Sindikata gjithashtu apelon te qytetarët që të respektojnë punën dhe autoritetin e Policisë së Kosovës, duke theksuar se çdo rezistencë ndaj urdhrave ligjorë përbën vepër penale dhe rrezikon sigurinë publike.

“Njëkohësisht, Sindikata e Policisë së Kosovës apelon te të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të respektojnë punën e Policisë, të mos ushtrojnë rezistencë ndaj urdhrave ligjorë të zyrtarëve policorë – pasi një sjellje e tillë përbën vepër penale dhe rrezikon sigurinë publike – si dhe ta mbështesin Policinë e Kosovës si institucion kyç për sigurinë, rendin dhe zbatimin e ligjit në vend”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërsa, Policia e Kosovës përmes taportit 24-orësh ka konfirmuar se incidenti ka ndodhur më 1 gusht 2025, rreth orës 20:00 në fshatin Drobesh të komunës së Vitisë, gjatë tentativës për arrestimin e tre personave të dyshuar.

Sipas njoftimit zyrtar, dy zyrtarë policorë janë përballur me rezistencë fizike nga të dyshuarit, të cilët i kanë sulmuar ata gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

“Fsh. Drobesh, Viti 01.08.2025, 20:00. Është raportuar se dy viktima meshkuj kosovarë-zyrtarë policorë, kanë has në rezistencë gjatë tentim arrestimit të tre personave të dyshuar meshkuj kosovarë, ku të njëjtit janë sulmuar fizikisht nga të dyshuarit. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar, kurse njëri nga të dyshuarit gjendet në arrati. Me vendim të prokurorit pas intervistimit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme