Panik në aeroportin e Denverit, pasagjerët evakuohen përmes “rrëshqitëseve emergjente” për shkak të zjarrit nën aeroplan

11:55 | 27 Korrik 2025
E.H

Një situatë emergjente u regjistrua në Aeroportin Ndërkombëtar të Denverit të shtunën, kur pasagjerët e një fluturimi të American Airlines u detyruan të evakuoheshin pak përpara nisjes për shkak të një problemi mekanik me pajisjen e uljes së aeroplanit.

Incidenti ndodhi në fluturimin American Airlines 3023, që ishte parashikuar të nisej nga Denver për në Miami.

Sipas Fox News, defekti u zbulua ndërsa aeroplani ndodhej ende në pistë.

Dhe në disa pamje të publikuara në internet, pasagjerët shihen duke dalë me urgjencë nga aeroplani përmes rrëshqitëseve të emergjencës, ndërsa shihet tym dhe zjarr.

Departamenti i Zjarrfikësve të Denverit reagoi menjëherë dhe arriti të shuajë zjarrin.

Të gjithë 173 pasagjerët dhe 6 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan me sukses nga Boeing 737 Max 8.

Pesë persona u kontrolluan për lëndime, por nuk kërkuan shtrim në spital, ndërsa një person u dërgua për kujdes mjekësor për një dëmtim të lehtë. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme