Komuna e Prishtinës e quan “alarm të panevojshëm” njoftimin e IKSHPK-së për ujin e pishinës së Gërmisë

14:33 | 24 Korrik 2025
E.K

Komuna e Prishtinës ka reaguar ndaj njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) lidhur me cilësinë e ujit në pishinën e Gërmisë, duke e quajtur atë një “alarm të panevojshëm”.

Në një komunikatë për media, Komuna thekson se rezultatet përfundimtare të analizave, ashtu siç ka bërë të ditur edhe vetë IKSHPK-ja, pritet të publikohen më 25 korrik. Deri atëherë, sipas Komunës, deklaratat e parakohshme mund të çojnë në dezinformim të publikut.

“Sportmarketing, në cilësinë e ndërmarrjes publike, shpreh përkushtimin e plotë për zbatimin e të gjitha udhëzimeve dhe rekomandimeve të IKSHPK-së dhe institucioneve përgjegjëse, duke e konsideruar shëndetin publik si prioritetin kryesor. Megjithatë, Kryeqyteti shpreh shqetësimin lidhur me alarmin e panevojshëm të krijuar nga deklaratat publike të parakohshme dhe të pambështetura në rezultate përfundimtare. Sipas vetë IKSHPK-së, mostrat e dyta janë ende në proces të analizës laboratorike dhe rezultatet përfundimtare pritet të publikohen nesër. Çdo komunikim publik para përfundimit të këtyre analizave rrezikon të dezinformojë qytetarët dhe të krijojë konfuzitet”, thuhet në njoftim.

Komuna ka apeluar për kujdes dhe përgjegjësi në deklaratat publike që kanë të bëjnë me çështje të ndjeshme si shëndeti publik./Arbresh.info

LEXO EDHE:

IKSHPK: Pishina e Gërmisë nuk plotëson standardet për ujin e pishinës

Inspektorati Sanitar mbyll përkohësisht pishinën e Gërmisë