SPAK dërgon për gjykim 29 të pandehur për shkelje me tenderat e Universitetit Bujqësor të Tiranës

17:11 | 22 Korrik 2025
E.H

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri(SPAK) ka paraqitur të martën kërkesën për gjykimin e 29 personave, të akuzuar për shkelje të rënda lidhur me procedurat e prokurimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT) gjatë vitit 2022. Mes të pandehurve janë 27 zyrtarë të UBT-së dhe dy përfaqësues të operatorit ekonomik “Krijon” sh.p.k.

Akuzat ndaj zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës konsistojnë në “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Ndërkohë, dy përfaqësuesit e “Krijon” sh.p.k. akuzohen për “Falsifikim të dokumenteve”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

Hetimet e SPAK, të zhvilluara me metoda speciale proaktive, si përgjime telefonike, vëzhgime dhe administrim dokumentacioni, kanë zbuluar shkelje në nëntë procedura prokurimi, me një vlerë totale fondi limit prej 90,000,000 (nëntëdhjetë milionë) lekësh.

Gjatë hetimit, janë evidentuar shkelje ligjore nga persona përgjegjës të stafit akademik të UBT-së, përfshirë Romina Koto dhe Ilir Kapaj në detyrën e zëvendës/rektorit, si dhe Bejo Bizhga, Përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike.

Këta zyrtarë akuzohen nga SPAK se kanë ideuar projekte dhe kanë siguruar fonde pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI) bazuar në të dhëna fiktive, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomikë konkurrues dhe fitues. Këto veprime të kundërligjshme janë kryer në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, Edmond Tërthorja, Administrator i UBT-së.

Hetimi thekson se “pas sigurimit të fondeve, veprimet e kundraligjshme kanë vijuar në fazën e përgatitjes dhe kryerjes së procedurave të prokurimit”. Komisioni që përllogariti fondin limit dhe përgatiti specifikimet teknike ka bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të paligjshme me njësinë e prokurimit dhe komisionin e vlerësimit të ofertave.

SPAK ka evidentuar gjithashtu shkelje ligjore nga anëtarët e njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave. Të pandehurit Amarildo Lleshi, Mehmet Qoshja, Altin Murto, Enkeleida Sallaku, Klara Jahollari, Agim Sefa, Arjan Buliqi, Serafin Skënderi, Ilir Kusi, Dritan Laçi, Azem Parllaku, Artur Koleci, Radion Dhromi, Blenard Spaho, Tedi Proda, Erjola Kopali, Klea Lekoçaj, Etleva Shore, Mimoza Shehu, Elvira Shtogu, dhe Tone Vukaj, në bashkëpunim me Edmond Tërthorja, kanë krijuar kushte dhe kanë favorizuar shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë “Krijon” sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”.

Më tej, hetimi zbuloi se “të dhënat për përgatitjen e fondit limit, specifikimet teknike, termat e referencës dhe hartimi i dokumenteve standarde të tenderit, janë bërë nga zyrtarët përgjegjës të autoritetit kontraktor në bashkëpunim me operatorët ekonomikë fitues.”

Në të gjitha këto procedura prokurimi, operatorët fitues kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara në emër të shoqërive tregtare të tjera, të cilat janë përdorur nga autoriteti kontraktor për të fryrë fondin limit, pa kryer asnjë studim tregu.

“Gjithashtu, janë identifikuar raste kur procedura e prokurimit është kryer me një operator ekonomik të paracaktuar fitues, për pajisje të cilat i janë vënë në dispozicion autoritetit kontraktor disa muaj para shpalljes së procedurave të prokurimit. Kjo do të thotë se janë kryer procedura fiktive prokurimi për pajisje tashmë të administruara.”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vazhdon hetimet në kuadër të procedimit penal, me qëllim evidentimin e çdo fakti tjetër penal dhe përgjegjësisë së çdo personi tjetër të përfshirë në manipulimin e dokumentacionit të këtyre procedurave të prokurimit./rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme