Musliu alarmon për mungesë barnash në QKUK për pacientët me kancer: Kërkojmë zgjidhje urgjente

08:49 | 16 Korrik 2025
E.H

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e ka quajtur alarmante situatën me mungesën e barnave në QKUK, për pacientët me kancer.

Musliu ka kërkuar urgjentisht transparencë, përgjegjësi dhe veprim nga institucionet shëndetësore teksa ka theksuar se buxheti i rritur nuk duhet të shoqërohet me më pak trajtim për pacientët, transmeton Arbresh.info.

”Mungesa e barnave për pacientët me kancer në QKUK është alarmante! Ky nuk është thjesht një lajm i radhës, është një thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim. Pacientët me kancer në Kosovë po përballen me një krizë që prek drejtpërdrejt jetën e tyre. Kjo po ndodh në kohën kur buxheti për materiale shpenzuese, barna esenciale dhe shërbime të tjera shëndetësore është 105 milionë euro qe do te thote rreth 45.6 milionë më shumë sesa vitin e kaluar!”, ka shkruar Musliu.

“Si është e mundur që me më shumë mjete financiare, pacientët kanë më pak qasje në trajtim? Sëmundja nuk pret, as mjekët nuk duhet të presin për furnizime, e as pacientët nuk duhet të vuajnë nga paaftësia ose papërgjegjësia institucionale. Heshtja është bashkëfajësi. Kërkojmë transparencë, përgjegjësi dhe ZGJIDHJE urgjente!”, shkroi deputetja e PDK-së./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale