Kurti i shpreh ngushëllime familjes Zejnullahu, kërkon hetim të thellë dhe të shpejtë

11:03 | 9 Korrik 2025
A Z

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka shprehur ngushëllime familjes Zejnullahu, pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu gjatë arrestimit nga policia.

Kurti tha se bashkëpunimi mes institucioneve është i rëndësishëm që të zbardhen të gjitha detajet e rastit.

“Fillimisht dua t’i shpreh ngushëllime familjes Zejnullahu, lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve, shumëçka prej asaj që ka ndodhur në mesnatën e 7 korrikut tashmë është publike dhe falë incizimeve të dëshmitarëve, por për të kuptuar gjithçka çfarë ka ndodhur duhet hetim profesional nga institucionet, për këtë bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit të Policisë, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë, është thelbësor”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Kurti kërkoi që të zbardhet e vërteta e plotë dhe të vendoset drejtësia dhe llogaridhënia, duke shtuar se nuk do ketë strehë në institucione për ata që mund të kenë tejkaluar kompetencat gjatë detyrës zyrtare.

“5 zyrtarë policorë janë në paraburgim, unë kërkoj dhe pres hetim të thellë dhe sa më shpejt që zbardh të vërtetën e plotë dhe i bën të njohura të gjitha rrethanat, ashtu që të vendoset drejtësia dhe të arrihet llogaridhënie, nuk do të ketë strehë në institucione apo nga institucionet për këdo që ka tejkaluar kompetencat, apo të ketë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare”, tha Kurti. /Zëri

 

Të ngjashme