Pogba flet për rikthimin e tij në futboll pas një suspendimi dy-vjeçar

15:10 | 1 Korrik 2025
D.H

Tashmë është zyrtare Paul Pogba është rikthyer në futboll, dhe do të jetë lojtar i ri i Monacos.

Mesfushori francez ka nënshkruar kontratë me Monacon deri në qershor të vitit 2027, shkruan Arbresh.info.

Ish-kampioni i botës me Francën ishte i suspenduar për shkak të testit pozitiv me doping për dy vite.

Paraqitjet e tij të fundit kanë qenë me Juventusin.

I emocionuar dhe i vendosur, 32-vjeçari shprehu ndjenjat e tij në kanalet zyrtare të klubit, pas asaj mungese të gjatë.

“Është një gëzim i madh të kthehem për të luajtur. Monaco është një klub me histori të madhe dhe jam i nderuar që jam pjesë e tij. Jam gati të jap gjithçka për të ndihmuar ekipin, pas dy vitesh të vështira të kaluara vetëm”.

Projekti sportiv i ilustruar nga drejtuesit ishte vendimtar në zgjedhjen e lojtarit, i kombinuar me mundësinë e kthimit për të jetuar dhe luajtur në Francë.

“Doja të lija një gjurmë në Ligue 1. Familja, njohuritë për ekipin, përzierja e talenteve të rinj dhe lojtarëve me përvojë… gjithçka kontribuoi në vendimin tim”, potencoi Pogba.

Pogba pritet të rikthehet në fushë me 11 korrik ku Monaco luan një ndeshje miqësore ndaj Cercle Brugge të Belgjikës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale