Rikthimi i jetës normale, rendit dhe qetësisë në komunat veriore të Kosovës

10:16 | 26 Qershor 2025
E.G

Deri para një viti rruga për në pikën kufitare në Jarinje ishte e mbushur me barrikada, ndërsa e qytetet në veri të vendit ishin cak i grupeve kriminale serbe dhe sinonim i destabilizimit.

Sot, në komunat veriore, të cilat janë me shumicë serbe, situata është krejt ndryshe, raporton Arbresh.info.

Qytetarët lëvizin lirshëm nëpër rrugë, duke shijuar ditën në mënyrë të zakonshme.

Ata zhvillojnë aktivitetet e tyre pa pengesa dhe prania e sigurisë është e dukshme, duke kontribuar në një atmosferë të qetë dhe të sigurt për të gjithë banorët.

Me largimin e strukturave kriminale dhe mbylljen e strukturave paralele, veriut i është kthyer qetësia dhe rendi.

Këtë e konfirmon edhe zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së veriut, Veton Elshani për Arbresh.info,  tregon se gjendja në veri është stabile, por e ndjeshme.

“Situata në veri është e qetë, është stabile por delikate duke marrë parasysh zhvillimet politike që janë gati tri vite e këtej, por në përgjithësi mund të them se situata është e qetë.  Nuk ka ndonjë shenjë për destabilizim për momentin por sidoqoftë duke marrë parasysh që ai butoni i panikut nuk është këtu por në Serbi, varet kush e prek atë pullë dhe ka mundësi që këtu me lëviz gjërat. Por që deri më tani, situata është e qetë, pro nëse ndodh dika ne jemi këtu për të reaguar”, thotë Elshani.

I pyetur se sa qytetarët serbë i besojnë policisë, Elshani tha se në vitin 2024, ndonëse ka pasur më shumë policë shqiptarë, numri i rasteve të raportuara ka qenë më i madh sesa i atyre të raportuara në vitin 2022, ku shumica e policëve kanë qenë serbë.

“Ne kemi më shumë raste të paraqitura në vitin 2024 se sa në vitin 2022. Numrat janë statistika dhe statistikat e tregojnë për shembull numrin e rasteve sa është paraqitur më shumë ose më pak. Kjo tregon që ne, edhe pse shumica në vitin 2024 kanë qenë shqiptarë domethënë kosovarë, ne kemi më shumë raste të paraqitura se sa në vitin 2022 ku shumica e policëve kanë qenë serbë”, shprehet ai.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së veriut, vlerëson se bashkëpunimi me qytetarët serbë është shumë i mirë, pasi që të gjitha informacionet për armët e laboratorët e drogës që janë gjetur deri më tani vijnë nga qytetarët.

Elshani tha se diku kanë qenë 65 rrugë ilegale, duke theksuar se deri tani janë mbyllur diku 25 prej tyre.

“Unë konsideroj që u bë një punë shumë e mirë dhe ndoshta ka mundësi që më shumë ka kontrabandë në pjesën jugore të vendit  se sa në këtë zonë ku jemi”, tha ai.

Mes të tjerash, Elshani vlerësoi edhe bashkëpunimin e mirë të Policisë së Kosovës me KFOR-in.

Për situatën e sigurisë, Arbresh.info tentoi të flasë edhe me qytetarët serbë të komunës së Leposaviqit, mirëpo të njëjtit nuk pranuar të flasin para kamerave.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, theksoi se situata e sigurisë në komunën e Leposaviqit është  shumë e mirë, madje duke shtuar se më e mirë se në disa komuna që janë në jug të Kosovës.

Rikthimi i rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit, ka ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik të komunave veriore.

Në Leposaviq, janë hapur biznese të cilat kanë ndikuar në rritjen e punësimit të qytetarëve serbë dhe integrimin e tyre./Arbresh.info/Erolinda Gashi/

Të ngjashme