Jo vetëm dy klubet e mëdha turke, por edhe gjiganti italian dëshiron transferimin e Ismajlit

23:45 | 11 Qershor 2025
D.H

Ardian Ismajli do të ndryshojë skuadër gjatë verës pasi marrëveshja e tij me klubin e Empolit përfundon në mbylljen e muajit qershor, duke e bërë mbrojtësin e Kombëtares shqiptare një lojtar të lirë.

Normalisht një situatë e tillë e futbollistit kuqezi ka zgjuar interesimin e shumë skuadrave të cilat janë të gatshme të lëvizin për të siguruar firmën e mbrojtësit që do të transferohej si lojtar i lirë.

Në ditët e fundit u përfol për një interesim të vazhdueshëm nga klubet turke, me Besiktasin fillimisht pastaj edhe Trabzonsporin.

Të dy klubet duan të kthehen në pretendentë për titull në Turqi dhe e shohin Ismajlin si një emër që mund t’i ndihmojë drejt këtij objektivi.

Mirëpo gjatë ditës së sotme mediat italiane kanë bërë të ditur se Ismajli mund të zgjedhë të qëndrojë në Itali, pasi ai ka marrë ofertë nga Lazio, që është gati t’i ofrojë atij një kontratë trevjeçare.

Palët janë në bisedime dhe oferta e klubit lacial mund të bëjë që Ismajli të zgjedh të qëndrojë në Itali përpara se të largohet në ndonjë vend tjetër.

Kujtojmë se Ismajli iu bashkua Empolit në vitin 2021, ndërsa një sezon përpara kishte luajtur edhe me Spezian./Arbresh.info

Të ngjashme