U arrestua nga autoritetet serbe në kufirin Serbi-Hungari ish-polici Arbnor Spahiu del sot para gjykatës serbe

10:42 | 9 Qershor 2025
Gita

Ish- pjesëtari i Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu do të dal sot para gjyqtarit të procedurës paraprake, në Gjykatën Komunale të Kikindës në Serbi, pas arrestimit të tij nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë më 7 qershor.

Kështu ka bërë të ditur për Arbresh.info Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Z. Spahiu është duke u mbajtur në Qendrën e Paraburgimit në Kanjizha, rreth 60 km nga Kikinda, në Vojvodinë, dhe Zyra Ndërlidhëse në Beograd është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e z. Spahiu, përkatësisht me bashkëshorten e tij. Z. Spahiu pritet të dalë të hënën në orën 09:00, para gjyqtarit të procedurës paraprake, në Gjykatën Komunale të Kikindës”, bënë të ditur ministri.

Zyrtarë të kësaj ministrie i kanë thënë Arbresh.info se Spahiu ishte arrestuar më 7 qershor deri sa po kthehej me familjen e tij nga Austria në Kosovë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është njoftuar se mëngjesin e djeshëm (7 qershor 2025), rreth orës 09:00, shtetasi i Republikës së Kosovës, z. Arbnor Fatmir Spahiu, është ndaluar nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, gjatë kthimit të tij nga Austria. Në momentin e ndalimit, z. Spahiu po udhëtonte me autobus, së bashku me anëtarët e familjes”, bën të ditur MPJD-ja për Arbresh.info.

Zyrtarë të ministrisë bëjën të ditur se menjëherë pas marrjes së informacionit, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë autoriteteve serbe, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, me qëllim të konfirmimit të ndalimit, ofrimit të sqarimeve mbi bazën ligjore të tij, si dhe informimit mbi vendndodhjen dhe gjendjen aktuale të Spahiu.

Gjithashtu, lidhur me rastin, është njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Beograd.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet përmes kanaleve diplomatike përkatëse dhe do të mbajë të informuara institucionet relevante dhe partnerët ndërkombëtarë për çdo informacion të ri të konfirmuar zyrtarisht./Arbresh.info/