Nis me tensione seanca plenare në Shqipëri

13:26 | 5 Qershor 2025
A Z

Ka nisur me tensione seanca e sotme plenare në Shqipëri. Shkak për “përplasjet” mes opozitës e mazhorancës është bërë mungesa e kuorumit për miratimin e procesverbalit të seancës së 29 majit.

Deputetët demokratë i kanë kërkuar kryeparlamentares Elisa Spiropali të ndërpresë seancën plenare pasi sipas tyre, në sallë ndodheshin vetëm 55 deputetë, nga 71 që nevojiten minimalisht.

“Keni filluar seancën në kundërshtim me rregulloren. Në sallë nuk janë as 55 deputetë. Pa kuorum seanca nuk fillon. Anuloni seancën, të plotësohet kuorumi dhe të nisë seanca. Tani këtu janë 55 deputetë. Po bëni tallava”, deklaroi deputeti Flamur Noka.

Në të njëjtën linjë vijoi edhe deputeti Gazmend Bardhi, i cili po ashtu kërkoi ndërprerjen e seancës, pasi sipas tij, po shkelet rregullorja e Parlamentit.

“Nuk e di kush ta lexon rregulloren, por sipas rregullores së Kuvendit e ccdo organi kolegjial, s’mund të fillosh mbledhjen e kuvendit pa pasur minimum 70 deputetë në sallë. Ky rregull është zbatuar edhe nga ju. E kuptoj se e keni të vështirë të mblidhni deputetët, por seanca nis vetëm kur të jenë të paktën 71 deputetë prezentë.

S’është e vërtetë ajo që thatë. Kur nis mbledhja duhet kuorumi dhe kjo është A-ja e rregullores së Kuvendit. Ndërprisni seancën, njoftoni deputetët të vijnë në sallë dhe të vijojmë me punimet. E ke për detyrë, ndryshe seanca nuk mund të vazhdojë”, theksoi Bardhi.

Në përgjigje të deklaratave të Nokës e Bardhit, kryeparlamentarja theksoi se Kuvendi është plotësisht funksional dhe se sipas saj, përsa kohë nuk po votohen projektligje, nuk ka nevojë për plotësimin e kuorumit.

“Nuk kemi votim, nuk kërkohet kuorum. Është plotësisht funksional. Kyretari i Kuvendit pyet mbi vërejtje mbi procesverbalin dhe nuk kërkon miratimin në parim siç është votimi formal i çdo projektligji.

Mos u kapni pas fijes së kashtës për të mos diskutuar çështjet e rëndësishme”, tha Spiropali. /rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale