Dy klube të Premier Leagues i vihen pas Inzaghit

18:33 | 1 Qershor 2025
D.H

Trajneri i Interit Simone Inzaghi, ka zhvilluar bisedime me dy klube të Premier League, Tottenham Hotspur dhe Newcastle United, në një kohë kur e ardhmja e tij në Itali mbetet e pasigurt pas humbjes 5-0 në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germain.

Tottenham ka shqyrtuar mundësinë për ta shkarkuar trajnerin australian, Ange Postecoglou, dhe Inzaghi shihet si pasues i tij, shkruan Arbresh.info.

Sipas raportimeve të talkSPORT, Inzaghi ka marrë një ofertë të majme prej 25 milionë £ në sezon nga klubi saudit Al Hilal, por prioriteti i tij mbetet qëndrimi te Interi, për sa kohë që klubi i ofron garanci për përforcime në merkato.

Një takim vendimtar me drejtuesit e Interit pritet të mbahet së shpejti, ku do të diskutohet për të ardhmen e tij.

Ndërkohë, Newcastle dhe Tottenham kanë shfaqur interes serioz për trajnerin italian.

Megjithatë, Inzaghi ka refuzuar më parë oferta nga klube të mëdha si Liverpool dhe Manchester United, duke theksuar dëshirën e tij për të qëndruar në Milano, nëse kushtet janë të përshtatshme.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje me Interin, nuk përjashtohet mundësia që Inzaghi të marrë drejtimin e një klubi të Premier League ose të pranojë ofertën e Al Hilal, që kërkon ta emërojë trajner përpara ndeshjes së parë në Kupën e Botës për Klube më 18 qershor kundër Real Madridit.

Inzaghi është pjesë e Interit nga viti 2021, ku ka fituar trofe të rëndësishëm si Serie A, por edhe ka humbur dy herë në finale të Ligës së Kampionëve, fillimisht nga Man City në 2023, dhe mbrëmë nga Parisi./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale