Barduani në panairin Multikulturor për fëmijë: KFOR i njeh fëmijët si burim themelor për të ardhmen e Kosovës

15:31 | 1 Qershor 2025
E.H

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Komandanti i misionit KFOR-it Gjeneral Major Enrico Barduani, mori pjesë sot, me ftesë të presidentes Vjosa Osmani, në panairin multikulturor për fëmijë – “Trashëgimia përmes duarve të vogla” në oborrin e Pallatit Presidencial, në Prishtinë.

“Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve është një ditë përkujtimore që nderon fëmijët në mbarë botën, e cila festohet më 1 qershor. Kjo ditë e ka origjinën nga Proklamata e Gjenevës e vitit 1925 në Konferencën Botërore për Mirëqenien e Fëmijëve, me qëllim promovimin e mirëqenies dhe të drejtave të fëmijëve”, thuhet në njoftimin nga KFOR.

“Pjesëmarrja e gjeneral Barduanit në këtë ngjarje dëshmon se si KFOR-i i njeh fëmijët si një burim themelor për të ardhmen e Kosovës.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në rrjete sociale