Sot në Prishtinë nis festivali Polip

09:57 | 15 Maj 2025
Q L

Këtë vit, Qendra Multimedia ka bashkuar forcat me organizatën Molla e Kuqe, e cila po menaxhon me muzeun e hapur rishtazi në Prishtinë “Burgu i Idealit”.

Programi i polip-it të sivjetëm hapet me shfaqjen siriane “Hija e gjatë e Alois Brunner”, e cila duke marrë për shkas tregimin e një prej figurave më famëkeqe të regjimit nazist në Gjermani, shpjegon edhe raportin e artistëve aktualisht refugjatë, me vendin e tyre Sirinë.

Nesër (16 maj) nga ora 17:00, nën moderimin e Alban Beqirajt, në Burgun e Idealit do të zhvillohet biseda “E kaluara që ndjek të tashmen: Artikulimi kreativ i momenteve historike”, në të cilën do të flasin artistët sirianë të shfaqjes “Hija e gjatë e Alois Brunner”. Ndërsa nga ora 19:00 në Kino Armata në Prishtinë do të shfaqet filmi “Letra të hapura” i regjisores Katharine Dominice.

Programi vazhdon edhe më 17 maj, përsëri në Burgun e Idealit, ku nga ora 16:00 do të ndodh biseda “Sindromi i karakterit (jo)kryesor: Përfaqësimi i grave në letërsinë e Ballkanit”, me panelistë Ivana Trajanoska dhe Robert Alagjozovski nga Maqedonia e Veriut dhe Blerina Rogova Gaxha nga Kosova, moderuar nga Aulonë Kadriu. Nga ora 18:00 në qelitë e Burgut të Idealit, aktorët Semira Latifi, Adrian Morina e Shpëtim Selmani do të lexojnë rrëfime të ish të burgosurve politikë në Kosovë.

Polip-i i sivjetëm përmbyllet me shfaqjen “Bëje ose vdis”, një homazh për ish të burgosurit politikë nga Kosova, që prezantohet më 17 maj nga ora 20:00 në Burgun e Idealit në Prishtinë.

Për më shumë informata në lidhje me konceptin e edicionit të sivjetëm të festivalit, shihni këtu. Për më shumë detaje për programin e sivjetëm, shihni këtu.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme