Në mungesë të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku të njëjtit bashkë me deputetin tjetër të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës.
Gjykatësi Sabit Sadikaj tha se i akuzuari Sveçla përmes e-mailit zyrtar ka njoftuar se gjendet jashtë vendit.
Në seancë mungoi edhe e akuzuara Pacolli-Dalipi, për të cilën, gjykatësi tha se nuk ka dëshmi se e ka pranuar ftesën për seancën e sotme.
Gjykatësi Sadikaj tha se procesverbali iu shërben si ftesë e rregullt të akuzuarve tjerë, kurse për Sveçlën dhe Pacolli-Dalipin do të përsëritet ftesa.
Ai tha se me ftesë të rregullt do të ftohet edhe avokatja e Zybës, Laura Kuqi, e cila mungoi në këtë seancë. Për mungesën e saj, avokati i Sveçlës- Laur Prenaj tha se ajo mungon për arsye shëndetësore.
Në këtë seancë, prezent ishin e akuzuara Millaku me avokatin e saj- Veton Robaj, i akuzuari Zyba, si dhe avokatët Laur Prenaj dhe Lavdrim Salihu (avokat i Pacolli-Dalipit). I pranishëm ishte edhe prokurori Milot Krasniqi.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën ndaj Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetët Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.
Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.
Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.
Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.
Kurti ndalet në Arllat për kafe dhe ëmbëlsirë, sonte tubimi ...
Mbi 117 mijë aplikime nga diaspora, numri mund t’i afrohet r...
Trump bisedë telefonike me Netanyahun – flasin për Ira...
Veldin Hoxha dhuron asistim të bukur për Rubin Kazanin
Rregulla të reja në Ulqin: Gjoba deri në 500 euro për ata që...
“Përse u ndave me babin”, pyetja e sikletshme që...