“Fjala e çdo shqiptari jashtë vlen”/ Rama thirrje diasporës: Regjistrohuni për të votuar

10:08 | 10 Shkurt 2025
E.H

Teksa kanë mbetur 22 ditë nga përfundimi i regjistrimit të zgjedhësve në diasporë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u ka bërë thirrje që të marrin pjesë në zgjedhje.

Në një video të ndarë sot në ‘Facebook’, Rama u shpreh se regjistrimi deri më tani është premtues, por duhet të jetë edhe më i madh, sepse “fjala e çdo shqiptari jashtë vlen”.

“Nga Partia Socialiste, 22 ditë nga përfundimi i regjistrimit të zgjedhësve në diasporë, 11 maji do të jetë njëvotim historik edhe për faktin se për herë të parë shqiptarët e Europës dhe të mbarë botës do të votojnë nga jashtë kufijve, nga aty ku janë, me postë. Por kush do të bëhet pjesë e kësaj historie të re për demokracinë tonë duhet të regjistrohet deri në 4 mars, sepse votimi bëhet me postë dhe koha për t’ja çuar fletën e votimit në shtëpi çdo zgjedhësi me një zarf të parapaguar edhe për kthimin, është kohë e domosdoshme, tha Rama.

“Deri më tash numri i të regjistruarve është premtues por pa diskutim mund të jetë edhe më i madh akoma. Fjala e çdo shqiptari jashtë kufijve vlen gjykimi i çdokujt që e sheh progresin e Shqipërisë tonë të përbashkët nga një distancë e arsyeshme vlen. Dhe unë mezi pres që të shoh se cili do të jetë gjykimi i shqiptarëve të Evropës dhe të botës për Shqipërinë e çliruar nga hija e zezë e paragjykimeve të deri djeshme, për Shqipërinë e respektuar nga Evropa dhe bota si asnjëherë më parë dhe që në mandatin tonë të 4 do të hedhë hapin përfundimtar të anëtarësimit në BE. Regjistrohuni, mos e lini për ditën e fundit kur edhe mund të ngarkohet faqja e KQZ dhe të bëhet më pas shumë më e vështirë”, u shpreh Rama./tch

Shpërndaje në rrjete sociale