Rama ndan fotoalbumin e javës

23:43 | 26 Janar 2025
D.H

Java që lamë pas shënoi një axhendë të ngjeshur aktivitetesh për kryeministrin Edi Rama, aktivitete që kulmuan me pjesëmarrjen e tij në Forumin Ekonomik Botëror 2025 që u zhvillua në Davos.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndau këtë mbrëmje fotoalbumin e javës që u mbyll, me ngjarjet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe kulturore në vend.

Nga forumi i Davosit, kryeministri solli në vëmendje hapat e mëdhenj që ka hedhur Shqipëria për sa i takon turizmit, një sektor prioritar për vendin.

Në kuadër të punimeve të këtij forumi kryeministri Rama zhvilloi një takim me presidentin e Ukrainës, Volodymir Zelensky, me të cilin nënshkroi edhe një marrëveshje bashkëpunimi 10-vjeçare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Vendimi i Shqipërisë për të mbyllur për një periudhë 1-vjeçare TikTok-un ishte po ashtu në qendër të takimit që Rama zhvilloi në Davos me Christine Grahn, kreun e Marrëdhënieve me Qeveritë dhe Politikën Publike të TikTok-ut për Europën.

Gjatë takimit me Grahn, Rama parashtroi shqetësimet që çuan në vendimin e mbylljes së përkohshme të aksesit në platformë nga Shqipëria, si dhe u njoh po ashtu mbi rrugët e mundshme të adresimit të këtyre shqetësimeve nga ana e kompanisë.

Një tjetër partneritet strategjik i vendosur gjatë kësaj jave ishte edhe ai mes Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë me spitalin izraelit Sheba Medical Center. I pranishëm në këtë aktivitet, Rama vlerësoi se një nga ekselencat botërore të mjekësisë është zyrtarisht partneri strategjik i QSUT-së.

Bashkëpunimi, sipas tij, do të nisë me Spitalin Onkologjik, për të cilin është gati plani i ri i veprimit, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.

Po ashtu, kryeministri Rama ishte i pranishëm në aktivitetin për 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri./atsh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme