Isufaj për deklaratat e Kurtit: Fare nuk më interesojnë – ligji vlen edhe për zyrtarët shtetërorë

13:46 | 30 Dhjetor 2024
E.G

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka folur lidhur me deklaratat e fundit të kryeministrtit Albin Kurti për dëshminë e tij në këtë prokurori.

Isufaj tha se ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës përfshirë edhe për zyrtarët e lartë shtetërorë, shkruan Arbresh.info.

“Çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë.”, tha ai.

Isufaj i bëri thirrje Qeverisë që të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë.

“Nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt,sepse fare nuk më interesojnë. Prokuroria Speciale nuk janë për të bërë skenarë, ne punën tonë e kemi të përcaktuar me ligj dhe Kushtetutë dhe nuk bëjmë dallime as për nga pozita as për nga emri. Nuk kam informacione nesh dikush është intervistuar ndonjëherë në zyrën e kryeministrit, ndoshta mund edhe të ketë por unë nuk di”, tha Isufaj.

Rreth deklaratës së Kurtit ku prokurorët e Kosovës, i ka quajtur si “kërmij”, dhe “lepuj”, Isufaj u shpreh se deklaratat e tilla minojnë integritetin e sistemit të drejtësisë.

“Deklaratat denigruese dhe fyerjet publike ndaj prokurorëve dhe institucioneve të prokurorisë jo vetëm që minojnë integritetin e sistemit të drejtësisë por e cenojnë edhe besimin e publikut në sundimin e ligjit”, tha Isufaj.

Kryeprokurori shtoi se aktualisht kemi ngritur aktakuzë për 5 ish-ministra të kabineteve tjera qeveritare dhe nuk e kemi të ngritur asnjë aktakuzë për asnjë ministër aktual

“Kemi të hedhura 17 kallëzime penale për ministrat aktual në detyrë. Ky është shembulli më i mirë që ne nuk punojmë në mënyrë selektive, ne punojmë vetëm në bazë të provave. Kjo nuk do të thotë që në të ardhmen nuk do të ketë aktakuzë edhe për ministrat aktual”, tha ai./Arbresh.info/