Ushtria e Rusisë tha më 29 nëntor se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri, me qëllim që të zmbrapsë forcat opozitare që kanë nisur një ofensivë të madhe në qytetin e Alepos, raportuan mediat shtetërore ruse.
Kryengritësit opozitarë dhe aleatët e tyre, që mbështeten nga Turqia, kanë hyrë në Alepo, qytetin e dytë më të madh të Sirisë, pasi të mërkurën nisën një ofensivë të befasishme kundër forcave qeveritare siriane, që mbështeten nga Irani dhe Rusia.
Luftëtarë në Zarbah, teksa forcat opozitare vazhdojnë ofensivën e tyre në Alepo. 29 nëntor 2024.
Luftimet janë ndër më vdekjeprurëse në vitet e fundit në luftën civile siriane.
“Forcat ajrore ruse kanë kryer bombardime ndaj pajisjeve dhe ushtarëve të grupeve të paligjshme të armatosura, të pikave të kontrollit, depove dhe pozicioneve të artilerisë të terroristëve”, citohet të ketë thënë një zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, sipas mediave shtetërore ruse.
Rusia ka pretenduar se ka “shkatërruar” 200 militantë në 24 orët e fundit.
Këto pretendime nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Moska është mbështetësja më e rëndësishme ushtarake e udhëheqësit sirian, Bashar al-Assad, dhe përfshirja e Rusisë në konfliktin civil më 2015 ndryshoi rrjedhën e luftës në favor të forcave të al-Assadit./rel/
Protestojnë punëtorët e “Prishtina Parking”, paralajmërohet ...
Orav përshëndetet me Kurtin: Institucionet të jenë funksiona...
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftojnë për 7 të vrarë dhe 145 ...
Aksioni kundër fajdes në Prizren, dëmi ndaj viktimës 700 mij...
Mbi 8 mijë zyrtarë ende pa deklaruar pasurinë
Orav përfundon misionin në Kosovë, takim lamtumirës me Osman...