Investime energjetike në fshatin e martirizuar të Pejës

19:47 | 19 Janar 2016
M. A.

Një projekt i madh investiv i KEDS-it po shtrihet në fshatin Pavlan të Komunës së Pejës. Në kohën kur kishin filluar punimet e para, në këtë fshat të martirizuar të Pejës, pak kush besonte se më në fund projekti do të bëhej realitet.

Admir Gashi nga kjo anë thotë se problemet me rrymë në këto lokalitete i kishin përcjell që nga paslufta ndërsa investime nuk mbahen mend të ketë pasur ndonjëherë.

“Gjithmonë fshati jonë ka hequr të zinjtë e ullirit. Nuk ka pasur shtëpi që s’ka pasur ndonjë aparaturë të prishur nga rryma. Tash ka disa muaj që këtu po punohet dhe ne i besojmë këtij investimi. Siç na kanë shpjeguar ashtu edhe po punojnë”, thotë Gashi.

Janë 6 mijë metra kabllo për tension të ulët, 107 shtylla betoni për tension të ulët, 5 të tjera për tension të mesëm dhe një Trafo e re e standardit më të lartë evropian me 10/0.4 kV e fuqisë 250 kVA (kiloVolt Amper) të cilat po shtrihen dhe po vendosen nga KEDS-i në këtë fshat.

“Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike KEDS, këtë projekt e ka filluar në muajin Qershor të vitit 2015 ndërsa shumë shpejt pritet ta përfundoi me sukses”, thotë Hamdi Kerolli, inxhinier mbikëqyrës i kësaj Kompanie për këtë projekt.

Kerolli shton se e tëra po bëhet në mënyrë që banorët të kenë furnizim stabil dhe përçim kualitativ të tensionit dhe energjisë.

“Efektet e para janë dhënë ndërsa me të përfunduar investimi në tërësi, ky lokalitet do të ketë furnizim normal me tension stabil dhe kualitativ”, shton Kerolli.

Me këtë projekt të KEDS-it në Pavlan përfitojnë mbi 140 konsumator, respektivisht ekonomi familjare.

Vlera e investimit të KEDS-it në Pavlan sipas asaj çfarë shihet në terren kap shifrën e disa dhjetëra mijëra eurosh.

Ndryshe fshati Pavlan që ndodhet jo fort larg Pejës, është i njohur si fshat i martirizuar që identifikohet me masakrën e forcave serbe që ishte bërë në luftën e fundit për Kosovën.

Banorët këtu janë mikpritës të mëdhenj ndërsa që investimi i KEDS-it patjetër se është meritor për këtë zonë të veçantë të Rrafshit të Dukagjinit.

Shpërndaje në rrjete sociale