Bora vështirëson qarkullimin edhe në Mitrovicë

16:07 | 18 Janar 2016
M. A.

Bordi i drejtorëve ka mbajtur të hënën takimin e radhës, kryesuar nga Agim Bahtiri, kryetar i komunës, në të cilën ka vlerësuar se me gjithë përpjekjet maksimale të drejtorive përkatëse për të mirëmbajtur rrugët ashtu si duhet, nga ana e kompanive kontraktuese ka pas disa lëshime dhe dobësi, që kanë ndikuar që në rrugët e qytetit të ketë vështirësi për lëvizje, sidomos të qytetarëve.

Duke e paraqitur informatën lidhur me gjendjen në rrugët e komunës, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, ka thënë se ndonëse ka mjaftë vështirësi, sidomos në disa sosh, të gjitha rrugët në territorin e komunës, janë të kalueshme, ani pse në momente në disa rrugë të Shalës së Bajgorës ka pas bllokada për shkak të ortekëve të krijuar.

Kryetari Bahtiri ka insistuar sërish tek drejtorët e të gjitha drejtorive, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që të mos lejohet bllokimi i asnjë rruge, sidomos të atyre në Shalën e Bajgorës, ku ka reshje bore me fërfëllizë që po krijon ortekë dhe po i mbyllë rrugët posa ato të pastrohen nga bora.

“Në qytete duhet menjëherë të aktivizohen të gjitha kapacitete në dispozicion dhe rrugët të jenë plotësisht të qarkullueshme normalisht, ndërsa që trotuaret të pastrohen tërësisht nga bora dhe ët ju mundësohet njerëzve të lëvizin pa problem. Inspekcioni duhet të marrë masa ndaj të gjithë pronarëve të dyqaneve dhe objekteve tjera afariste, që nuk i pastrojnë hapësirat para objekteve të tyre”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Pajazit Hajzeri, ka thënë se vijimi i nxënësve në shkollat e komunës, është i kënaqshëm, kur të kihen parasysh vështirësitë e krijuara nëpër rrugë, sidomos në Shalë të Bajgorës. Ai tha se në këtë rajon për shkak të ortekëve të krijuar në orët e mëngjesit, ka pas mungesë të nxënësve dhe arsimtarëve në disa shkolla, por që më vonë rrugët janë bërë të kalueshme.

Në mbledhje është folur edhe për mundësitë e gjetjes së një hapësire të përshtatshme për inspektorët rajonal të arsimit, si dhe për disa çështje të rëndësishme nga fushëveprimi i bordit.

Shpërndaje në rrjete sociale