Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka pranuar Letrat Kredenciale të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Kazakistanit në Shqipëri, Iskander Aisariyev.
Presidenti Begaj i uroi Aisariyev mirëseardhjen në Shqipëri si Ambasadori i parë rezident i Kazakistanit në Tiranë, duke i garantuar mbështetjen e institucioneve shqiptare përgjatë shërbimit të tij diplomatik në vendin tonë.
“Hapja e Ambasadës së Kazakistanit në Tiranë dëshmon vullnet për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona mike”, – theksoi Presidenti Begaj gjatë takimit me Ambasadorin Aisariyev, të cilit i shprehu vullnetin politik për të mbështetur dhe intensifikuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme.
Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e dialogut dhe vizitave të mëtejshme të ndërsjella, në mënyrë që të promovohet bashkëpunimi dypalësh.
“Shqipëria ka interes për nxitjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, rritjen e investimeve kazake në sektorë, si: turizmi, energjia, agrobiznesi, ndërtimi infrastrukturor dhe industria e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve”, – theksoi Presidenti Begaj.
Turizmi u cilësua si një fushë potenciale bashkëpunimi, që favorizohet edhe nga udhëtimi pa viza midis vendeve. Me interes u vlerësua dhe vendosja e një linje direkte fluturimi Tiranë-Astana.
Presidenti Begaj i përcolli Ambasadorit të Kazakistanit kërkesën për rishikim të qëndrimit në lidhje refuzimin e njohjes së Kosovës dhe mbështetje ndaj proceseve të saj integruese, ndërsa theksoi se është në interesin e përbashkët bashkëpunimi i mëtejshëm në organizatat ndërkombëtare./rtsh.al/
Tradhtia, alkooli e droga – shkaktarët kryesorë të divorceve...
Vdes 19-vjeçari në Cyrih, u godit nga një pllakë betoni gjat...
UNESCO: Vajzat përsëri mbeten prapa djemve në matematikë
Nipi publikon amanetin e fundit të Rexhep Qosjes, përmes një...
Kurti: Rexhep Qosja, figurë e paepur e mendimit shqiptar
Familja e ish-presidentit Thaçi i shpreh ngushëllime familje...